Të martën, rrjeti social Facebook prezantoi kriptovalutën e cila e quan Libra.
Sipas kompanisë, misioni i kriptovalutës do të jetë krijimi i një infrastrukture më të thjeshtë financiare botërore dhe se njerëzit duhet të kenë mundësinë që të dërgojnë para me të njëjtën lehtësi sikurse dërgojnë një foto.
Themeluesi i Facebookut, Mark Zuckerberg, në momentin e prezantimit ka thënë se çdo person që ka qasje në internet, njëjtë do të ketë qasje edhe në këtë monedhë dixhitale, me një kosto minimale.
Kjo kriptovalutë pritet që t’i krijojë 95 milionë vende të punës me një vlerë të shtuar prej 3.7 trilionë dollarëve. Po ashtu, ndikim tjetër do të jetë edhe reduktimi i varfërisë ekstreme prej 22 për qind dhe shtimi i të ardhurave prej 20 për qind, përcjell Telegrafi.
Por, kjo teknologji e re ka filluar të kritikohet dhe të kërkohet shqyrtimi i saj nga autoritetet në mbarë botën.
Libra është “një monedhë botërore dhe infrastrukturë financiare“. Pra, me fjalë të tjera është një mjet dixhital i ndërtuar nga kompania dhe fuqizuar nga versioni i Blockchainit të Facebookut me teknologji enkriptimi të përdorur nga Bitcoin dhe kriptovalutat e tjera.
Emri Libra vjen nga njësia bazike matëse e peshës në Romën e lashtë. Shkurtimi i njësisë matëse “pound” në “lb” ku vjen nga Libra dhe simboli “£” është një variacion i L në Libra.
Facebook thotë se dëshiron që tu mundësojë 1.7 miliard përdoruesve në mbarë botën që nuk kanë qasje në një llogari bankare të mund të kryejnë transaksione online. Me shumë gjasa, kompania do të përballet me pengesa të shumta nga autoritetet sidomos në një kohë kur ato po bëjnë thirrje për shpërbërjen e rrjetit social.
Menjëherë pas spekulimeve lidhur me ekspansionin e ri financiar të Facebook, ligjvënës amerikan dhe evropian kërkojnë shpjegime shtesë nga Mark Zuckerberg për këtë projekt.
Kriptovaluta do të menaxhohet nga një grup kompanish quajtur Libra Association. Funksionon si një monedhë e qëndrueshme, vlera e së cilët bazohet në asete ekzistuese si dollari amerikan apo euro, me qëllim që vlera e saj të mos jetë subjekt i luhatjeve të mëdha.
Kjo shoqatë nga Facebook përshkruhet si e pavarur dhe jofitimprurëse, e cila ka qendrën në Zvicër. Të vërtetojë transaksionet në Blockchainin e Libra dhe të menaxhojë rezervën e saj, janë dy qëllimet kryesore të Libra Association.
Brenda shoqatës do të jetë një organ drejtues i quajtur Këshilli, që përbëhet nga përfaqësues të secilit prej anëtarëve të shoqatës e cila do të votojë çdo politikë drejtuese apo vendime operacionale.
Facebook pretendon se pavarësisht se ka krijuar Libra, kur monedha të lëshohet në përdorim në vitin 2020, kompania do të tërhiqet nga roli udhëheqës dhe të gjithë anëtarët e shoqatës do të kenë fuqi të barabarta votuese.
Kompanitë të cilat kanë kontribuar minimalisht 10 milionë dollarë do të listohen si anëtarët themelues të Libra Association dhe janë kompani si PayPal, Ebay, Spotify, Uber, Lyft, Andreessen Horowitz, Thrive Capital, Visa, Mastercard, etj.
Në fillim, Facebook nuk jep shumë detaje sesi kriptovaluta do të jetë e disponueshme kur të debutojë por shenjat tregojnë një qasje hibride. Prezenca e firmave tradicionale të pagesave në këtë projekt si Visa dhe Mastercard lë të kuptohet se Facebook do të bekojë blerjen e monedhës.
Por ekziston mundësia që Facebook të dhurojë sasi të vogla të kriptovalutës në përpjekje për të ushqyer një ekosistem. Një gjë e tillë do të jetë jetike nëse kompania do të përmbushë qëllimet e saj e të sjell të shërbimeve financiare tek njerëzit pa një llogari bankare.
Kur kriptovaluta të lëshohet në përdorim, përdoruesit mund të shkarkojnë Calibra, një portofol dixhital i cili bën të mundur dërgimin e kësaj monedhe tek kushdo që ka një telefon të mençur. Kompania thotë se do të jetë i disponueshëm në Messenger, ËhatsApp dhe si aplikacion i vecantë.
Nuk dihet se në çfarë vendesh të botës do të jetë fillimisht i disponueshëm, por Facebook tha se pothuajse kushdo në çdo cep të botës do të mund ta shkarkojnë aplikacionin.
Përveç transaksioneve me vetë aplikacionin, Facebook dëshiron të lehtësojë edhe përdorimin e Libra tek shërbime dhe kompani të tjera për transaksione mbi baza ditore.
Uber dhe Lyft janë investitorët e parë në projekt duke na lënë të kuptojmë se përdoruesit e këtyre shërbimeve do të mund të paguajnë përmes Libra.
Ka disa shqetësime lidhur me aplikacionin financiar të Facebook. Kompania tha se do të zbatojë teknologji të cilat parandalojnë pastrimin e parave dhe mashtrimet.
Gjithashtu, Facebook thotë se do të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejt për të ndihmuar ata që humbin qasjen në llogaritë e tyre ose humbin paratë si rezultat si një mashtrimi, përcjell Telegrafi.
Për këtë, rrjeti social ka premtuar edhe rimbursim. Blockachaini i Libra do të jetë i disponueshëm me kod të hapur [open source, kodi është i disponueshëm për secilin për ta monitoruar në dizajn apo probleme sigurie].