Telekomi angazhoi 178 punonjës në pozita të rregullta pa konkurs publik

Pa shpallur konkurs publik fare, Telekomi i Kosovës ka punësuar gjatë vitit 2018, 178 persona për punë dhe detyra specifike, përcjell Buletini Ekonomik. Të gjithë këta të punësuar janë rehatuar në pozita të rregullta.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, me këtë rast është shkelur Ligji i Punës Nr.03/L-212 dhe Udhëzimi Administrativ Nr.07/2017 për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik.

“Kompania, gjatë vitit 2018 kishte angazhuar 178 punonjës për punë dhe detyra specifike, pa shpallur konkurs publik. Arsyeja e angazhimeve të tilla ishte se kompania, nuk e kishte konsideruar si të nevojshme shpalljen e konkursit epublik për angazhimin e punonjësve për punë dhe detyra specifike”, vlerëson Auditori.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Ligjit të punës, Nr. 03/L-212, neni 8, pika 1, kërkohet që “Punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës”.

Sipas Auditorit, angazhimi i punonjësve për punë dhe detyra specifike për pozita të rregullta të punës pa respektuar parimet bazë për një proces fer, transparent dhe konkurrues , përveç që mund të mos jetë në harmoni me obligimet ligjore, rritë rrezikun e angazhimit të personave jo të duhur në pozitat e caktuara.

“Kryesuesi i Bordit të sigurojë se janë shqyrtuar shkaqet që kanë krijuar mangësitë e identifikuara dhe se janë marrë masat e nevojshme që të respektohen dispozitat ligjore përkatëse me rastin e angazhimeve të punonjësve të rinj”, vlerëson Auditori. /Buletini Ekonomik/