Viti 2019 pritet të jetë i vështirë për ekonominë e vendit. Tashmë këtë e pranon edhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK), pas një serie të vendimeve nga Qeveria Haradinaj me të cilat pritet të ngarkohet kuleta e shtetit përtej rrugullave fiskale në dy vitet e ardhshme.
Hyrja në fuqi e Ligjit të ri për pagat dhe presionet për rritjen e shpenzimeve në raport me të hyrat, mund ta çojë vendin drejt një kolpasi financiar, përcjell Buletini Ekonomik.
Në raportin e stabilitetit financiar për vitin 2018, BQK, si asnjëherë më parë, ka dhënë sinjale të frikshme mbi rrjedhat dhe dinamikat që pritet të marrë buxheti i vendit.
“Në kuadër të sektorit fiskal, presionet për rritje të mëtejme të shpenzimeve buxhetore kundrejt të hyrave, veçanërisht shpenzimeve rrjedhëse (presionet lidhur me rritjen e transfereve dhe Ligji i ri i pagave) në dy vitet e ardhshme, rrisin rrezikun e zvogëlimit të shpenzimeve kapitale dhe rritjen e deficitit fiskal përtej rregullës fiskale”, thuhet në këtë raport të BQK-së i publikuar së fundi.
Rregulli fiskal thotë se Qeveria nuk guxon të tejkalojë tavanin e deficitit buxhetor prej 2 për qind të GDP-së, apo rreth 130 milionë euro, nëse kalkulohet në raport me lartësinë e buxhetit të Kosovës.
Kuleta e shtetit ka filluar të rëndohet sidomos gjatë vitit 2018. Në vitin 2018, Qeveria Haradinaj ka rritur shpenzimet buxhetore për 10.3 për qind krahasuar me vitin paraprak. Saktësisht, Qeveria shpenzoi 162 milionë euro më shumë se që mblodhi.
Gjithashtu, në raportin e BQK-së, thuhet se Ligji i ri i pagave pritet të ndikojë në rritjen e pagave në sektorin publik, që përveç efekteve buxhetore, do të mund të rezultojë në presion mbi pagat e sektorit privat dhe për pasojë të ndikojë në konkurrueshmërinë e eksportuesve kosovar. /Buletini Ekonomik/