E gjendur në krizë të thellë financiare, Telekomi i Kosovës shumë shpejt do të përballet edhe me një problem tjetër. Në fund të korrikut i skadon licenca për operim e cila lëshohet nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Skadimi i licencës përmendet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm, për këtë ndërmarrje për vitin 2018, përcjell Buletini Ekonomik.
Aty thuhet se Telekomi do të duhet që t’i paguajë 15 milionë euro për 15 vitet e ardhshme ARKEP-it, në emër të vazhdimit të licencës.
“Në projeksionin e rrjedhës së parasë 2019 është paraparë që shuma totale e marrjes së kësaj licence të jetë 15,000,000 euro e ndarë në këste për 15 vite, që do të thotë për vitin 2019 janë paraparë 1,000,0000 euro”, thuhet në raport.
Sipas dokumentit në fjalë ARKEP njofton operatorët se do të shqyrtojë mundësinë e realizimit të pagesës me këste, dhe aktualisht janë në procedurë të pranimit të komenteve dhe arsyetimet e operatorëve lidhur me këtë çështje.
“Megjithatë, ende nuk ka një vendim final nga ana e ARKEP lidhur me kushtet e pagesës, përkatësisht lidhur me lartësinë e kësteve si dhe afatet e pagesës.”, vlerëson Auditori.