‘EuroLab’ QAK shpk është kompania e vetme e cila që nga viti 2009 kryen shërbimet e homologimit e kontrollimit teknik të automjeteve në Kosovë. Duke qenë se marrëveshja e tyre me shtetin skadon më 1 korrik 2019, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, vitin e kaluar kishte nxjerrë një Udhëzim Administrativ, që vështirëson konkurrencën edhe më shumë në fushën e homologimit. Sipas Bashkimit Evropian një udhëzim i tillë Administrativ ia vazhdon monopolin e kompanisë ‘EuroLab’, prandaj si i tillë duhet shfuqizuar.
Në një përgjigje për Gazetën Express nga Zyra e BE-së në Kosovë thonë se Nataliya Apostolova në mënyrë të përsëritur ka ngritur shqetësimet e saja për sistemin aktual të homologimit, dhe në mënyrë të veçantë homologimin e detyrueshëm të veturave të reja që vijnë nga shtetet e Bashkimit Evropian.
“BE’ja, e përfaqësuar nga shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka shprehur në mënyrë të përsëritur shqetësimet e veta për sistemin aktual të homologimit të makinave në Kosovë, veçanërisht për homologimin e detyrueshëm dhe verifikimin e certifikatave të konformitetit të makinave të reja me origjinë nga BE-ja”, ka thënë Dinka Zivalj.
Për këtë problematikë thonë që e kanë kontaktuar edhe Ministrinë e Infrastrukturës, dhe thonë se kanë diskutuar edhe në grupet punuese të BE-së për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
“Këto shqetësime janë përcjellë tek Ministria e Infrastrukturës përmes kanaleve zyrtare, si dhe në diskutimet që janë bërë në nënkomitetet e BE-së për Stabilizim dhe Asociim (MSA), ku autoritetet e Kosovës janë angazhuar për të rishikuar legjislacionin për homologimin e automjeteve, për ta ndërlidhur atë me politikat dhe praktikat e mira të BE-së, në mënyrë që të eliminohen barrierat jotarifore”, ka shtuar ajo.
Po ashtu nga Zyra e BE-së rikujtojnë edhe rekomandimin e Autoritetit të Konkurrencës në të cilin thuhet se sistemi aktual i homologimit është kundër frymës së konkurrencës së barabartë.
Zivalj thotë se Qeveria duhet të veprojë në përputhje me rekomandimin e marrë nga Autoriteti i Konkurrencës.
Të pyetur se a ka vend për shqetësim për faktin se institucionet e Kosovës marrin vendime që janë në kundërshtim me MSA’në, nga Zyra e BE-së thonë se respektimi i Marrëveshja për Stabilizim Asoccim është në të mirën e Kosovës, pasi që nënkupton shërbime më të mira për të cilat paguhet më lirë.
“MSA-ja përcakton raportet e Kosovës me BE-në në baza kontraktuale. Me nënshkrimin e saj, Qeveria është zotuar se do të zbatojë reformat lidhur me BE-në dhe se do të përafrojnë legjislacionin dhe praktikat e Kosovës me standardet e BE-së. Miratimi i praktikave me ato të BE-së janë thelbësore për një zbatim të suksesshëm të MSA-së. Kjo është në interesin e popullit të Kosovës gjë që është shumë e rëndësishme, pasi ata do të ndjejnë përfitimet, të cilat në këtë rast nënkuptojnë një shërbim më të mirë, që paguhet më lirë”, potencon ajo në përgjigje.
Nga kjo zyrë thonë se janë duke bërë përpjekje të mëdha që përmes mbështetjes financiare dhe ekspertizave të mbështesin Kosovën për të zbatuar reformat e Bashkimit Evropian.
“BE-ja po bën një përpjekje të madhe, përmes fondeve dhe ekspertizës më të mirë për të mbështetur Kosovën në zbatimin e reformave të lidhura me BE’në”, thuhet në përgjigje.
Sa i përket ekipit të TAIEX-it që kanë qëndruar në Kosovë, nga Zyra e BE’së thonë që ai ekip ka qëndruar në Kosovë dhe ka hartuar një raport, përmes të cilit synohet përmirësimi i sistemit aktual të homologimit dhe përputhja e tij me sistemet e brendshme të Bashkimit Evropian sa i përket kësaj fushe.
“Sa i përket homologimit të automjeteve, një raport i ekspertëve është përgatitur nëpërmjet TAIEX-it (Technical Assistance Information Exchange) dhe është ndarë me ministrinë relevante të Kosovës (Infrastrukturës) në fillim të këtij muaji. Ky objektiv ishte shqyrtimi i praktikave më të mira dhe gjendjes në Kosovë dhe dhënia e rekomandimeve se si të përmirësohet sistemi aktual i homologimit të makinave, nga perspektiva e rregullave të tregut të brendshëm të BE-së për automjetet” thotë ndër të tjera Zivalj.
Përveç këtyre thonë se do të mbështesin Kosovën edhe përmes një projekti që kap vlerën e 3 milionë eurove, për konkurrnecë dhe ndihmë shtetërore, që është një aspekt kyç i një tregu funksional, në të mirë të konsumatorëve dhe bizneseve.
Çështja e homologimit ka qenë temë debati edhe në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Partitë opozitare kanë përsëritur vazhdimisht se është e nevojshme ndërprerja e një marrëveshje që i mundëson kompanisë së njëjtë të mbajë nën kthetra homologimin edhe për disa vite të tjera.
Nga AAK’ja ndërkohë, Ahmet Isufi, ka thënë se është e papranueshme që një makinë e re e cila vjen nga Bashkimi Evropian, t’i nënshtrohet përsëri homologimit në Kosovë.
Më herët përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, prej ku ka kërkuar që deputetët të bëjnë presion mbi Qeverinë për të shfuqizuar udhëzimin Administrativ 02/2018, që sipas saj e mundëson vazhdimin e monopolit në fushën e homologimit, që mbahet nga ‘EuroLab’.
Apostolova një gjë të tillë ia kishte kërkuar Lekajt edhe në vitin 2018 përmes një letre, ku ndër të tjera kishte shprehur shqetësimet e saj të thella, për faktin se ishte në dijeni se përfaqësues të kompanisë në fjalë janë këshilluar dhe kanë marrë pjesë në hartimin e Udhëzimit Administrativ 02/2018 për Homologimin./