Avokati i Popullit, bazuar në nenin 16 të Ligjit nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, ka iniciuar hetime sipas detyrës zyrtare Ex officio, lidhur me operimin e hidrocentraleve në Deçan dhe Shtërpce.
Hetimet kanë të bëjnë me ligjshmërinë e operimit të hidrocentraleve në Deçan dhe në Shtërpce dhe ndikimin e tyre në mjedis.
Në bazë të pretendimeve të ankuesve dhe informatave tjera që i ka Avokati i Popullit, çështja e operimit të hidrocentraleve të lartpërmendura është duke u përcjellë me shumë paqartësi, si për shkak të mungesës së transparencës së institucioneve përgjegjëse për ligjshmërinë e operimit, e po ashtu edhe për shkak të mangësive lidhur me procesin e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje.
Të gjitha përpjekjet e deritanishme të organeve për ta adresuar problemin dhe pakënaqësitë e qytetarëve janë duke u treguar si mjete joefektive për zgjidhjen e problemit. Duke vërejtur se në rastin konkret kemi të bëjmë me ndikimin në mjedis dhe në ujëra, Avokati i Popullit, bazuar në Ligjin nr. 04/L-147 për Ujërat e Kosovës, qëllimi i të cilit është mbrojtja e resurseve ujore nga ndotja, nga tej shfrytëzimi dhe nga keqpërdorimi, i cili përcakton në mënyrë të qartë se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve dhe të akteve nënligjore nga fusha e resurseve ujore, përfshirë edhe ligjet tjera nga fusha e mjedisit jetësor, vlerëson se Ministria është organi kompetent i cili duhet të japë sqarime të qarta lidhur me këtë çështje.
Avokati i Popullit, bazuar në nenin 18, paragrafi 5, të Ligjit nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, duke konsideruar se situata mund të ketë pasoja të pariparueshme në mjedis, i rekomandon Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që t’i pezullojë aktivitetet e hidrocentraleve në Deçan dhe në Shtërpce, deri në dhënien e sqarimit për ligjshmërinë e operimit të hidrocentraleve në fjalë, si dhe sqarimet për kompetencat mes autoriteteve përgjegjëse.
Avokati i Popullit deri te ky rekomandim ka ardhur pas një kohe të gjatë të monitorimit të situatës dhe vlerësimit se kriteri substancial për rekomandimin e një pezullimi të tillë është përmbushur qartazi në këtë rast. Shkaku i rekomandimit për pezullimin e aktiviteteve të hidrocentraleve në fjalë është ndikimi i qartë në degradimin e mjedisit dhe të ujërave të vendit; në të drejtën për mjedis të sigurtë dhe të shëndetshëm, e drejtë e garantuar me nenin 52 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës [Përgjegjësia për Mjedisin Jetësor] dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat janë drejtpërdrejt të zbatueshme në Republikën e Kosovës. Masa e përkohshme do të zgjasë deri në vlerësimin e Avokatit të Popullit për pranimin e sqarimeve të mjaftueshme nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe nga organet tjera relevante përkitazi me ligjshmërinë e operimit të hidrocentraleve në fjalë, si dhe sqarimet për kompetencat mes autoriteteve përgjegjëse. Në pajtim me nenin 132, paragrafi 3, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me nenin 18, paragrafët 18.4 dhe 18.6, si dhe me nenin 25 të Ligjit nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, ju lutemi që përgjigjen tuaj, përkitazi me këtë çështje, të na e dërgoni jo më vonë se deri më 17 gusht 2019.