Banorët me protestë kërkojnë masë të përkohshme ndaj hidrocentraleve

Banorët e disa fshatrave të Komunës së Shtërpcës kanë reaguar derisa Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ende nuk e ka shqyrtuar rekomandimin e Avokatit të Popullit për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me çështjen e operimit të hidrocentraleve.

Banorët nëpërmjet një proteste para objektit të Komunës, të hënën, kanë kërkuar mbështetjen e këtij institucioni me arsyetim se futja e lumit Lepenc nëpër gypa po e dëmton zhvillimin e bujqësisë, shkruan sot Koha Ditore.

Në anën tjetër, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë se rekomandimin e Avokatit të Popullit tashmë e ka dërguar në zyrën ligjore, ndërkohë është çështje ditësh për të marrë një vendim konkret.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka sqaruar se tashmë janë duke i shikuar të gjitha dokumentet për të parë se a janë mbajtur dëgjimet publike për ndërtimin e hidrocentraleve dhe a ka pasur ndonjë shkelje ligjore.