BIK-u e tregon çmimin e haxhillëkut dhe numrin e kosovarëve që do të udhëtojnë në Arabinë Saudite

Bashkësia Islame e Kosovës përmes Facebook-ut ka bërë të ditur se ka bërë përgatitjen për nisjen e haxhive drejt vendeve të shenjta.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, gjegjësisht Drejtoria e Haxhit ka bërë të gjitha përgatitjet për nisjen e haxhinjve të Kosovës drejt vendeve të shenjta për të kryer një nga pesë kushtet e fesë Islame, haxhin”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.

Drejtoria e Haxhit në kuadër të BIK-ut ka bërë të ditur se këtë vit do të udhëtojnë 1 mijë e 80 kosovarë për ta kryer haxhin.

Reklama e sponzorizuar

“Fitim ef. Gashi nga drejtoria e Haxhit tha se në këtë vit nën organizimin e Kryesisë së BIK-ut për vende të shenjta për të kryer haxhin do të udhëtojnë 1.080 besimtarë, në mesin e të cilëve 370 janë gra”.

Ai, po ashtu, ka njoftuar se grupi i parë i haxhinjve do të nisen nga Prishtina më 31 korrik, për të vazhduar pastaj me datë 1, 2 dhe 3 gusht kur do të niset edhe ekipi i fundit i haxhinjve drejt vendeve të shenjta.

Çmimi i haxhillëkut për besimtarët kosovarë këtë vit është 4.150 euro.