Pas aplikacionit të njohur që plak fytyrën tuaj fshihet një shoqëri ruse, me serverë në SHBA dhe pak informacione se si do t’i përdorë të dhënat. Politikat e privatësisë nuk respektojnë GDPR
Para disa ditësh u bë i njohur një aplikacion i ri, Faceapp Challenge, që ndryshon tiparet e fytyrës. Inteligjenca Artificiale ndryshon tiparet e fytyrës në një mënyrë të natyrshme dhe befasuese.
Rreth 80 milionë persona e kanë shkarkuar tashmë programin, që prej debutimit të tij në janar 2017. Por mbetet e paqartë mënyra se si i përdor fotot dhe të dhënat tuaja aplikacioni Faceapp Challenge dhe dokumentet zyrtare mbi privatësinë dhe kushtet e përdorimit lënë shumë pikëpyetje….
Ku përfundojnë fotot?
Kur bëni një selfie me Faceapp, ajo kalon nga serverët e kompanisë ruse Wireless Lab OOO, me seli në Shën Peterburg. “Për të gjeneruar këto filtra, si për shembull fytyra që plaket, përdoren rrjete nervore gjeneruese kundërshtare, nëpërmjet kompjuterëve të fuqishëm” – komenton për Wired, Luca Sambucci, ekspert i shoqërisë për sigurinë informatike Eset. Me fjalë të tjera, fuqia e llogaritjes së një smartphone, nuk mjafton. Prova? “Nëse jeni në ‘airplane mode’, aplikacioni nuk funksionon dhe ju thotë se duhet të lidheni me internetin. Kjo tregon se fotoja shkon në serverin e tyre”, – vijon Sambucci.
Fotot në këta serverë mbeten për një kohë të papërcaktuar, me shumë gjasa përgjithmonë, pasi shoqëria, e themeluar dhe që drejtohet nga Yaroslav Goncharov (ka studiuar në Universitetin e Shën Peterburgut dhe me një të kaluar në Yandex – motor kërkimi rus) nuk thotë se për sa kohë do të ruhen këto foto dhe as vendin. Të dhënat “mund të arkivohen dhe të përpunohen në Shtetet e Bashkuara apo në çdo shtet tjetër ku Faceapp, bashkëpunëtorët e tij (kompani të tjera të grupit) apo ofruesit e shërbimit zotërojnë infrastrukturat” – lexohet në politikën e privatësisë.
Faceapp deklaron se selia e saj është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Google Play i referohet një adrese në Wilmington, qytet i Delaware (i cili konsiderohet një parajsë fiskale në SHBA) ku shoqëria e pasurive të paluajtshme Regus mbështet “zyrat virtuale” për kompanitë e huaja që duan të krijojnë një bazë në kontinentin amerikan. Shoqëria e analizave të tregut Sensor Tower thotë se vetëm në qershor të këtij viti, aplikacioni Faceapp është shkarkuar 400 mijë herë dhe ka gjeneruar 300 mijë dollarë.
Në kundërshtim me rregullat europiane
Nëse serverët do të ndodheshin me të vërtetë në SHBA, Faceapp duhet të tregohet i kujdesshëm dhe të mos harrojë se bën pjesë në Privacy Shield ose ndryshe marrëveshja mes Uashingtonit dhe Bashkimit Europian për të mbrojtur, edhe përtej oqeanit, qytetarët europianë sipas rregullores së GDPR. Por kjo nuk përmendet askund, pra nuk ofron asnjë garanci për qytetarët europianë që do të kishin ndonjë ankese.
Më saktë, duket se në Shën Peterburg nuk e kanë kuptuar që ka hyrë në fuqi rregullorja e GDPR më 25 maj 2018. “Rregullorja ka një zbatim të veçantë: nëse supozohet se shërbimi ofrohet në një territor europian, ai zbatohet” shpjegon për Wired, Ivo Tarantino, zëdhënës i Shoqatës së Konsumatorëve Altroconsumo. Por politikat e privatësisë së Faceapp nuk kanë ndryshuar që prej datës 20 janar 2017 dhe “nuk kanë ndryshuar asnjë germë” – thekson Sambucci.
Në fakt, ai shkel nenin 3 në GDPR, që siç nënvizon eksperti i privatësisë Giovanni Battista Gallus “parashikon shtrirjen e rregullores edhe në ato trajtime që kryhen nga një titullar që nuk ka bazë në BE, por megjithatë lidhet me të mirat dhe shërbimet ndaj të interesuarve që ndodhen në BE apo që monitoron sjelljen e tyre”. /Monitor.al/