Pretendimi për privatizim të kompanisë IPKO që është në pronësi të Telekom Slovenije po konsiderohet si një grusht i fuqishëm negativ që po i jepet ambientit biznisor në Kosovë.
Të paktën kështu thotë ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
Në cilësinë e njohësit të çështjeve ekonomike, Gërxhaliu u shpreh se privatizimi i tillë do të ndikojë negativisht dhe në investimet e tjera të huaja që mund të ndodhin në Kosovë.
Por pavarësisht kësaj, ai kërkoi që të ketë kujdes mbi formën si mund të ndodh ky privatizim dhe shprehu frikën e tij se mund të bie në duart e gabuara.
“Vet privatizimi i kësaj kompanie do të jetë grushti më i fuqishëm negativ që i jepet ambientit biznisor në Kosovë. Do të jetë diçka që do të reflektoj tek investitorët e huaj që kanë planifikuar në Kosovë. Sepse nëse sot kemi largimin e IPKO-së, nesër do të kemi largimin edhe bankave të tjera komerciale nga jashtë është diçka që duhet të alarmohet. Por dua të theksoi se është koha kur vërtet për procese ekonomike të kemi kujdes. Është koha kur duhet të kuptohet se mbi interesat e partive politike duhet të jetë interesi i shtetit dhe në këtë drejtim institucionet vendore duhet të jenë vigjilente se në duart e kujt do të kaloj një thesar i tillë”, thotë Gërxhaliu në një intervistë për KosovaPress.
Ai ka shprehur frikën e tij se privatizimi i kësaj kompanie në këtë kohë të turbulencave politike do të jetë në duart e atyre që më së paku e meritojnë dhe siç thotë ai, do të ketë hapësirë për shpëlarje të parave.
“Vet fakti që po ndodh në këtë kohë kur turbulencat politike në Kosovë janë në rritje e sipër, kur anarkia në shtet është në nivelin më të lartë. Kur mungon papërgjegjësia të kemi dhe procesin e privatizimit të një kompanie të tillë e cila vërtet ka kontribuar në Kosovë është shqetësuese. Kam frikë që do të jetë në duart e atyre që së paku e meritojnë pronësie një ndërmarrje të tilla. Kam frikë që do të ketë hapësirë për shpëlarje të parave të ndryshme të pista të cilat janë produkt i një situate të krijuar në Kosovë”, pohon ai.
Gërxhaliu thotë se privatizimi do të ndikojë negativisht dhe në investimet e tjera të huaja që mund të ndodhin në Kosovë.
Ndërkaq, për kapacitetet e ndonjë kompanie vendore për të privatizuar IKPO-në, ai shprehet se duhet pasur kujdes sepse ka filluar një trend ku po krijohen fonde të investimeve në vende të ndryshme të cilat janë të dyshimta.
“Vet fillimi i privatizimit do të ketë pasoja negative në trendët e investimeve nga jashtë në Kosovë. Trende, të cilat janë në mënyrë alarmante negative. Prandaj nëse brende të tilla largohen nga Kosova, atëherë mund të paramendoni çfarë disponimi do të kenë të huajt për të investuar në Kosovë. Është një trend i krijuar ku po themelohen fonde të ndryshme të investimeve, qoftë në Maltë, qoftë në Portugali apo në vende të ndryshme evropiane. Shumë privatizime po ndodhin në emrin e fondeve investive dhe në këtë drejtim është koha kur duhet të ketë kujdes kush dhe çfarë forme do të privatizoj këtë aset”, ai Gërxhaliu.
Në muajin mars të vitit 2018, Telekom Slovenije u bë pronar i vetëm i IPKO-së.
IPKO Telecommunications është ofruesi kryesor i lidhjeve me brez të gjerë dhe ofrues i dytë më i madh në Kosovë. /Telegrafi/