Kanë kaluar 29 vjet nga mbyllja e dhunshme e RadioTelevizionit të Prishtinës nga forcat policore serbe, që erdhi vetëm tre ditë pas shpalljes së Deklaratës së 2 korrikut nga delegatët e Kuvendit të Kosovës.
Atëbotë, qindra punëtorë shqiptarë mbetën në rrugë, kurse Kosovën e kaploi terri informativ e kulturor.
29 vjet pas, këshilli Organizativ i Okupimit Barbar të RTP-së duke kujtuar 5 korrikun e vitit 1990, në një konferencë për media kanë folur për kontributin e gazetarëve të atëhershëm për informimin e popullit shqiptar.
Qemajl Sokoli, kryetar i Këshillit Grevist ka rrëfyer për kohën kur me qindra gazetarë u dëbuan nga forcat serbe nga institucioni që aso kohe po informonte popullin. RTP-ja sipas tij ishte pushka më jehuese e kombit edhe sinonim i qëndresës.
“Pas okupimit barbar serb të RTP-së në vitin 1990, 1300 punëtorë shqiptar mbetëm në rrugë, kurse Kosovën e kaploi terri informativ e kulturor. Mirëpo përmes emisioneve të sajuara, jashtë si në Zagreb e Shqipëri, me vetëmohim përkushtues e flakëm atë terr. Dhe informuam për gjendjen e rëndë të nën thundrën okupuese, si dhe e propaganduam luftën e drejtë të UÇK-së”, tha Sokoli.
Sipas Qemajl Sokolit pas çlirimit në vitin 1999 kur të gjithë prisnin që të kthehen aty, ndodhi e papritura.
Ai thotë se Qeveria Thaçit e Mustafës i ka mashtruar ata çnjerëzisht, për çka nga viti 2000 janë një proces gjyqësor.
“Qeveria e përkohshme e zvarranikut, por edhe të zvarranikëve pasues, na privuan nga e drejta me elementare njerëzore për të kthyer në vendet tona të punës për të cilat jemi flijuar… Klanet mafioze partiake të LDK-së dhe PDK-së në truallin 8 ha, ende të pa privatizuar bri pallatit të shtypit e kanë ndërtuar NLB-Prishtinën e ndërtesat e reja”, shprehet Sokoli.
Hilmi Kastrati, drejtor i Bordit të RTP-së, tha se ky institucion me punën e tij profesionale, tundi politikën fashiste të Beogradit të asaj kohe. Pavarësisht kësaj, thotë se shoqëria sot po sillet me injorancë ndaj këtij institucioni. Ai bëri të ditur se janë duke i ndjekur rrugët ligjore.