Hulumtim: Si u keqpërdorën mijëra euro në projektin për Qendrën e Inovacionit në Ferizaj

Projekti gati gjysmë milionësh për hapjen e Qendrës së Inovacionit në Ferizaj ka më shumë se një vit që po zvarritet, ani pse janë blerë pajisjet dhe objekti është gati. Deri në këtë fazë, buxheti i shtetit është dëmtuar rreth 30 mijë euro nga pakujdesia e dy institucioneve përgjegjëse – Ministrisë së Inovacionit dhe Komunës së Ferizajt.

Agon Sinanaj & Mirjeta Shabani

Ditën e mërkurë, porta kryesore e Qendrës së Inovacionit në Ferizaj ishte e mbyllur. Nuk kishte as roje, përveç një mbishkrimi në hyrje të objektit dhe meremetimit të përfunduar nga jashtë. Brenda, hapësira krejt e zbrazur. Mungonin punëtorët dhe mjetet e punës.

Reklama e sponzorizuar

Kjo është me pak fjalë gjendja momentale e Qendrës së Inovacionit në Ferizaj, tash kur po bëhen më shumë se një vit pas vendimit për hapjen e saj.

Meremetimi i objektit është kryer dhe janë blerë pajisjet teknologjike, por asnjëra nga institucionet përgjegjëse – Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Komuna e Ferizajt – nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë se pse ende nuk po fillon puna.

Ekipi i Buletinit Ekonomik ka qëndruar ditën e mërkurë në Ferizaj dhe ka hulumtuar tërë ecurinë e projektit deri më tani. Vendimi për hapjen e kësaj qendre është marrë në maj të vitit 2018 dhe ekziston edhe një bord prej pesë anëtarëve.

Por deri në këtë fazë, përveç vonesave për hapjen e qendrës, projekti është përcjellë më shumë parregullsi, të konstatuara edhe nga Auditori i Përgjithshëm në raportin e auditimit për Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, për vitin 2018.

Rreth 30 mijë euro është dëmtuar buxheti i shtetit nga kompanitë e kontraktuara nga komuna e Ferizajt, të cilat nuk i kishin kryer të gjitha punët siç parashihej me projekt.

Sipas Auditorit, deri te kjo erdhi pas dështimit të Ministrisë së Inovacionit dhe Komunës së Ferizajt, që ta menaxhonin projektin në mënyrën e duhur. E para ishte e obliguar që të caktonte një zyrtar përgjegjës për mbikëqyrjen e projektit, kurse e dyta që t’i raportonte çdo dy javë ministrisë për ecurinë e projektit.

Por asnjëra prej këtyre punëve nuk u krye.

 “Të dy palët nuk kishin respektuar këto pika të marrëveshjes, me ç`rast ministria nuk kishte caktuar zyrtarin për mbikëqyrje të realizimit të projektit dhe as komuna nuk kishte njoftuar ministrinë për rrjedhat e realizimit të projektit”, thuhet në raportin e Auditorit.

Për hapjen e kësaj qendre në Ferizaj, Ministria e Inovacionit dhe Komuna kanë një Memorandum Mirëkuptimi. Ministria e financoi në tërësi projektin me 373 mijë euro dhe në marrëveshje parashihej që të ketë mbikëqyrje rigoroze edhe nga zyrtarët komunal.

Komuna e Ferizajt i kontraktoi kompanitë, të cilat do ta kryenin punën, por në mungesë të mbikëqyrjes, shumë prej punëve nuk u kryen, ani pse ishin bërë pagesat për to.

Kjo bëri që të dëmtohet buxheti për rreth 30 mijë euro.

“Si përfundim, vlera e pozicioneve të identifikuara, të cilat janë paguar por nuk janë kryer ishte 28,360 euro. Kjo kishte ndodhur si rezultat i mungesës së përgjegjësisë për punën e kryer nga mbikëqyrësi i projektit, dhe si pasojë e neglizhencës së menaxhmentit për të mbikëqyrur projektin e financuar nga MIN”, thuhet në raportin e Auditorit.

Albion Sherifi, Këshilltar për Informim dhe Komunikim në Komunën e Ferizajt, është përgjigjur vetëm tërthorazi, lidhur me këto shkelje. Buletini Ekonomik e ka pyetur Sherifin se pse nuk kanë raportuar në ministri për mbarëvajtjen e projektit, ashtu siç kërkohej në marrëveshje.

“Përkitazi me këtë proces është formuar një komision ku pjesë e saj janë përfaqësues i Komunës dhe përfaqësuesi i Ministrisë, të cilët pas analizës së tërë procesit do të dalin me përfundimet përkatëse”, ka thënë Sherifi.

Ndryshe, financimi i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, për hapjen e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj ka qenë në vlerë prej 373,231.40 euro, financim ky i bërë duke u bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Komunës së Ferizajt.

Ideja e themelimit të kësaj qendre është që të rinjtë ferizajas të kenë mundësi që idetë e tyre që kanë kosto financiare dhe që nuk mund t’i zhvillojnë vet, t’i realizojnë në këtë qendër.

Deri më tani, kjo mundësi atyre u është mohuar, përkundër faktit se janë blerë pajisjet dhe është kryer meremetimi i objektit.

Inaugurimi i qendrës

Ministria i ndau mjetet pa e definuar statusin ligjor të qendrës

Të dy institucionet përgjegjëse, Ministria e Inovacionit dhe Komuna e Ferizajt, nuk i kanë shpjeguar të gjitha arsyet se pse ka ardhur deri të këto vonesa. Ato vetëm kanë thënë se inaugurimi i qendrës është bërë me 7 qershor.

“Të gjitha ndërhyrjet në Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj, janë përfunduar, vonesat kanë qenë arsyet e vjetërsisë së objektit dhe ndërhyrjet në disa pika për ta bërë sa më funksional këtë qendër për inovatorët dhe ndërmarrësit e rinj”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Inovacionit për Buletinin Ekonomik.

Pak a shumë, ngjashëm është deklaruar edhe Albion Sherifi, Këshilltar për Informim dhe Komunikim i Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

“Përkitazi me marrëveshjen dhe funksionalizimin e këtij institucioni, janë blerë të gjitha pajisjet e nevojshme për operacionalizimin e punës në këtë institucion dhe se tashmë është i gatshëm dhe i përdorshëm për destinimin që ka”, ka thënë ai.

Mirëpo, kjo deklaratë e këshilltarit komunal në Ferizaj nuk i përgjigjet situatës në terren. Për momentin, Qendra nuk ka fare staf të rekrutuar dhe ka paqartësi rreth statusit ligjor të saj.

Në kuadër të saj funksionon vetëm Bordi i cili është në përbërje të Alban Bytyqit, kryesues, dhe anëtarët Bujar Cakolli, Shqiprim Lubishtani, Lulzim Aliu dhe Flamur Salihu. Bordi është zgjedhur në maj të vitit të kaluar dhe prej atëherë është mbledhur disa herë.

Buletini Ekonomik ka kontaktuar me Kryesuesin e Bordit, Alban Bytyqin, i cili ishte zgjedhur në këtë pozitë si ekspert i pavarur, për të drejtuar qendrën. Bytyqi, i cili është njohës i teknologjisë informative, ka shprehur shumë pakënaqësi, për mënyrën sesi është menaxhuar procesi deri më tani. Si problem parësor ka përmendur definimin e statusit ligjor të Qendrës.

Sipas tij, kjo çështje madje është hapur edhe në njërën nga mbledhjet e Bordit.

 “Është hap çështja e statusit ligjor në mbledhjen e fundit që është mbajtur vitin e kaluar, kemi diskutuar për të dhe edhe atëherë ka qenë një konfuzitet nga ana e ministrisë, se si të trajtohet kjo qendër, si institucion, si fondacion apo si OJQ; pra ka pasur dilema”, ka thënë ai.

Ai thotë se punën e definimit ligjor duhet ta kryejë Ministria e Inovacionit.

Buletini Ekonomik, gjithashtu e ka pyetur Ministrinë e Inovacionit, se pse i kanë ndarë mjetet financiare pa e definuar statusin ligjor të qendrës, por në përgjigjet e tyre, kjo pyetje është anashkaluar tërësisht.

Nga ana tjetër, Bytyqi ka shtuar se pajisjet janë të gjitha në objekt, por sipas tij ende nuk është përzgjedhur menaxhmenti si dhe mungon një pjesë e inventarit.

“Tash për momentin, qendrës i duhen edhe tavolinat për t’u funksionalizuar dhe i duhet një menaxhment, që do t’iu ndihmonte këtyre të rinjëve apo Start-Up-ve, të komunës së Ferizajt, për t’i zhvilluar idetë e tyre inovative”, ka vlerësuar Bytyqi.

Dhjetë shkeljet sipas Auditorit

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Komuna e Ferizajt e arritën këtë marrëveshje vitin e kaluar, për financimin e projektit “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj” në vlerë prej 373,231 eurosh.

Komuna e Ferizajt, përkatësisht Zyra e Prokurimit ka zhvilluar dy procedura të ndara prokurimi për procesin e funksionalizimit të Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Procedura e parë ka koston e 149,620.00 euro për renovimin e objektit të Qendrës së Kulturës dhe adaptimin në Qendër të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, kurse procedura e dytë është zhvilluar për “furnizimin me pajisje teknologjike dhe inventar” me kosto prej 86,947.00 euro, që në total janë zhvilluar procedura tenderuese në vlerën e 236,567.00 eurove.

Në pagesën e testuar në vlerë 134,645 euro, të kontratës “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, renovimi i Qendrës së Kulturës “në vlerë 149,620, Auditori thotë se ishte identifikuar se këto pozicione të cilat ishin lëshuar në dokumentacionin financiar për pagesë si të përfunduara nga operatori ekonomik dhe të verifikuara nga menaxheri i projektit i komunës, nuk ishin kryer.

Sipas Auditorit, pozicionet e paguara, por të pa përfunduara, ishin:

-Punët e meremetimit: Krijimi i rampave sipas standardeve, në korridorin kryesor me disnivel prej 70cm, në dy nivele, me vlerë 840 euro;

-Furnizimi dhe montimi i dyerve të reja nga materiali i njëjtë me ato ekzistuese me dimensione 90*220cm, me vlerë 2,800 euro (35copë*80€=2,800 euro);

-Furnizim dhe montim i derës për dalje emergjente me hapje nga hapësira, me vlerë 150 euro;

– Përpunimi i dyshemesë nga parketi dhe sipas nevojës të ketë ndërhyrje nëpër vende të caktuara, me qëllim përmirësimin e parketit, në vlerë 990 euro;

-Ngrohja-Ftohja, sistemi VRF-VRV; -Mbrojtëse për borë që vendosen mbi VRF nga llamarina e zinguar, në vlerë 180 euro;

– Ventilatorë konvektor kasetore VRF, tërheqje të ajrit në mes dhe prurja në të katër anët e maskës së ventilator konvektorit, për montim në lartësi maksimale për ngrohje deri në 3.5m, me maskë, pompë për kondenzator, me mundësi të lidhjes në BMS, me fuqi termike në ftohje 7.10KË, fuqi termike në ngrohje 8,00KË, në vlerë 1700 euro;

– Ventilatorë konvektor kasetore VRF, tërheqje të ajrit në mes dhe prurja në të katër anët e maskës së ventilator konvektorit, për montim në lartësi maksimale për ngrohje deri në 3.5m, me maskë, pompë për kondenzator, me mundësi të lidhjes në BMS, me fuqi termike në ftohje 3,60KË, fuqi termike në ngrohje 4,00KË, në vlerë 21,700€ (31cop*700€=21,700€);

Në fund, Auditori konstaton se mungesa e zyrtarit mbikëqyrës nga Ministria e Inovacionit dhe në anën tjetër mos raportimi nga komuna, rrezikon realizimin e projektit sipas cilësisë së duhur dhe mund të jetë faktor i mos realizimit të projektit deri në këtë fazë.

Këto shkelje tani për tani i kanë kushtuar buxhetit të shtetit afër 30 mijë euro.  /Buletini Ekonomik/