Në Komisionin hetimor për PTK-në, mbledhje e cila po mbahet aktualisht, ka dëshmuar inxhinieri Abdullah Havolli.
Anëtarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se Havolli e ka prezantuar me “fakte raportin mbi humbjet financiare dhe dëmet teknike të shkaktuara nga kontrata ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile”.
“Shprehim konsideratat tona për punën e palodhshme të Sindikatës së Telekomit dhe profesionistëve të Telekomit që po bëjnë gjithçka për të shpëtuar Telekomin nga kontratat abuzive”, ka thënë Haxhiu, ndërsa ka publikuar pjesë të këtij raporti, raporton Koha.net.
Aty thuhet se si pasojë e kontratës mes Telekomit dhe Z-Mobile, kjo e fundit ka përfituar mbi 73 milionë euro bruto, kurse Telekomi ka deklaruar humbje në vlerë totale prej 107 milionë euro.
Ndërkaq, raporti thotë se vlera e përllogaritur e të hyrave të humbura për Telekomin nga kjo kontratë është 140 milionë euro.