Komisioni Evropian ka refuzuar një kërkesë të qeverisë holandeze për të përdorur procedurën e “frenimit emergjent” për pezullimin e liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptarë, shkruan Luigi Soreca, Shefi i Delegacionit Evropian në Shqipëri, raporton Buletini Ekonomik.
“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni Evropian konsideron se në situatën aktuale rrethanat për të nxitur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk janë plotësuar”, tha Luigi Soreca, në një post në Facebook, raporton Buletini Ekonomik.
Ai shtoi se Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë.
“Tani është koha që Shqipëria të ndërtojë mbi këtë konfirmim të arritjeve të saj të rëndësishme në vitin 2010 dhe të shkojë përpara me energji të ripërtërirë në rrugën e saj drejt integrimit në BE, në kuadrin e vendimit të Këshillit të BE-së në tetor”, përfundoi Soreca.
Muajin e kaluar, Komisioni Evropian pati nisur vlerësimin e regjimit pa viza të Shqipërisë, që mund të rezultonte me “ndërmarrjen e disa hapave”. Vendimi erdhi pas një kërkese zyrtare të Qeverisë së Holandës për kthimin e regjimit të vizave për shqiptarët.