Komisioni për Telekomin po bën gati një raport për ta dërguar në Prokurori

Deputetët-anëtarë të komisionit hetimor për gjendjen në PTK dhe VALA, tashmë kanë filluar të mendojnë për pasardhësit e tyre dhe punën që do t’u lënë atyre, pas pritjeve që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Gjatë mbledhjes së radhës, ata kanë shprehur brengën se çka do të ndodhë me materialin dhe dëshmitë e grumbulluara deri tani, por edhe për atë që u ka mbetur pa u shqyrtuar në detaje, raporton KTV.

Në rend dite, për ta ka qenë intervistimi i zyrtarit ligjor në PTK, Sabaudin Ramaxhiku.

Ai mohoi të ketë qenë i përfshirë në marrëveshjen e arritur me Z-Mobile, dhe skepticizmin për disa pika të saj ia kishte shprehur bordit të asaj kohe.

Komisioni pritet që të mblidhet edhe një herë gjatë kësaj jave, dhe me propozimin e kryetarit Visar Ymeri, do të grumbullohen dëshmitë dhe materialet e mbledhura nga puna e komisionit.

Reklama e sponzorizuar

Të njëjtat, pritet t’i dorëzohen Prokurorisë.

Gjatë së martës, në Prokurori kanë qëndruar edhe përfaqësues të Federatës Sindikale të Pavarur të PTK-së, dhe siç është bërë e ditur përmes një njoftimi me shkrim, në takim janë ngritur shqetësimet për kontratat e dëmshme, përfshirë atë me Z-Mobile.