Kosova, deponi veturash që përhapin helm

Pasi Mërgim Xh. shkel mbi padalën e gazit, një shtëllungë tymi ia mbërthen thuajse tërë veturën e tij, të ndalur në një cep të rrugës nga Fushë-Kosova për në Prishtinë. Kur makina nis të lëvizë, tymi shpërndahet, humb në dendësi dhe bëhet më pak i vërejtshim.

Mërgimi është rreth të 20-ave. Me veturën më të vjetër se vetë ai, më shumë se dhjetë herë hyn secilën ditë në Prishtinë. Punon “Njësh”, kod ky për taksinë në relacionin Prishtinë-Fushë Kosovë. Është punë që ai dhe shumë të tjerë e bëjnë ilegalisht, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ky i ri tregohet fare indiferent kur pyetet për dëmin në mjedis e shëndet që shkaktohet nga qarkullimi i veturave, sikur e tij.

Reklama e sponzorizuar

“Edhe unë kisha pasë qef me e pasë kerrin ma të mirë, e edhe ni punë ma të mirë, po nuk i kom”, thotë Mërgimi në buzagaz, tek justifikon ngasjen e automjetit në këtë shkallë amortizimi. “Ndoshta ni ditë e boj ni ma të ri”.

Rruga shtatëkilometërshe, në të cilën ky i ri punon taksi, është ndër të paktat në Kosovë që në gjithë gjatësinë ka trotuare dhe shirit për çiklistë. Por, në këto shtigje të gjelbra fare rrallë hasen njerëz tek ecin ose ngasin biçikletë. Banorët e qytetit të dendur, por edhe vizitorët e zonës industriale që shtrihet në të dyja anët e rrugës zgjedhin transportin me djegie.