Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar ndërprerjen e kontratës së Telekomit me Z-Mobile, që partia e tij e ka vlerësuar kaherë të dëmshme.
Z-Mobilen, Kurti në mënyrë metaforike e ka parë si një shushunjë, që ia ka thithë gjakun Telekomit, por megjithatë, thotë se ka edhe shumë shushunja tjera që duhen hequr prej Telekomit, transmeton Koha.net.
“Një shushunjë më pak, por më e madhja ishte kjo”, shkruan Kurti në Facebook.
“Perandorinë e tyre Devollët nuk e kanë ngritur me qumësht e dyshekë. Janë bërë të rëndë (gjysmë miliardi euro thuhet), me telefoninë Z-Mobile që e rropi Telekomin e Kosovës, me monopolin në homologimin e automjeteve, me terminalet doganore pranë depove private të korporatës së tyre etj. As Z-Mobile nuk ishte e vetmja shushunjë mbi Telekomin e Kosovës. Kontratat e tjera të dëmshme janë aq të shumta në numër e të larta në vlerë saqë Telekomit nuk i shihet dot lëkura nga shushunjat e panumërta parazitore që ia thithin gjakun nga trupi i saj i zbehur. Mirëpo, Z-Mobile ishte shushunja më e madhe. Të tjerat duhen hequr po ashtu. Të gjitha, sa më shpejt. Njëkohësisht duhet shëruar plaga ku ishte kjo shushunjë duke kthyer te Vala ata 300 mijë numra të rrëmbyer e duke e dërguar lëndën në prokurorinë shtetërore e cila duhet të veprojë pa vonesë”, shkruan tutje Kurti.
Kreu i LVV-së, thotë se “Shushunjat nuk duhen prekur me dorë kur ngjiten për trupi”.
“Aq më pak duhen tërhequr meqë këputen e pastaj ngelen pjesërisht brenda trupit! Shushunjat hiqen me flakë, duke ua afruar flakën e duke i prekur ca me të, sepse ato nuk i durojnë dot temperaturat e larta dhe bien përdhe. Në rastin e Telekomit të Kosovës kundër Z-Mobile, punëtorët e sindikatës dhe ekspertët profesionistë janë hidrogjeni dhe oksigjeni i flakës kundër shushunjës”, përfundon Kurti.
Kujtojmë se dje Telekomi i Kosovës e ka shpallur të përfunduar kontratën me kompaninë Z-Mobile, të cilën e kishte vlerësuar si shumë të dëmshme. Kjo kontratë ishte nënshkruar para 10 vjetësh, kurse afati i skadonte pikërisht të martën, më 30 korrik. Telekomi i Kosovës dhe kompania Z-Mobile në vazhdimësi kanë pasur mosmarrëveshje në lidhje me një kontratë të nënshkruar 10 vjet më parë, kontratë kjo e cila i kishte mundësuar kompanisë Z-Mobile të ishte operator virtual i telefonisë mobile Vala.
Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.