Pse BQK nuk po e publikon vendimin për shtrenjtimin e sigurimit të veturave?

Kanë kaluar gjashtë muaj prej se Banka Qendrore e Kosovës (BQK) përmes një vendimi të kontestueshëm e shtrenjtoi sigurimin e veturave për 26 për qind. Mirëpo, sot e asaj dite, ky vendim nuk është publikuar në uebfaqen e BQK-së, siç ndodh në rastet tjera.

Një studim i fundit i institutit GAP mbi këtë çështje, ka gjetur se mospublikimi i vendimit paraqet shkelje të rregulloreve të vet BQK-së.

“Më 10 dhjetor 2019, Instituti GAP ka bërë kërkesë në adresë të BQK-së dhe ka kërkuar qasje në vendimin e bordit ekzekutiv dhe “Studimin aktuarial” mbi të cilin është bazuar BQK kur ka marrë vendim për rritjen e çmimit të sigurimeve për vetura. Por, në kundërshtim me detyrimet e saj, BQK nuk i ka bërë publike këto dokumente duke kërkuar që të takohemi me zyrtarët e saj, në vend se këto dokumente të bëhen publike”, thuhet në studimin “Shtrenjtimi i sigurimit të veturave: mostransparenca dhe kufizimi i konkurrencës së lirë”.

Reklama e sponzorizuar

GAP në këtë studim thotë se vendimi për shtrenjtimin e sigurimit të veturave prej 26 për qind, përveç që nuk po publikohet, i njëjti është edhe i paligjshëm.

Rreth një muaj para se BQK-ja të merrte vendim për rritje uniforme të tarifave, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) i ishte përgjigjur kërkesës së BQK-së për mendim profesional sa i përket kësaj çështjeje.

Sipas vendimit të AKK-së, duke qenë se kompanitë kanë strategji të ndryshme të shitjes, profile të ndryshme të klientëve, strukturë të ndryshme të shpenzimeve, duhet të shmanget bashkëveprimi i kompanive dhe se caktimi i çmimit në mënyrë uniforme është në kundërshtim me parimet e konkurencës së lirë.

Ligji për mbrojtjen e konkurrencës, parasheh masa ndëshkuese deri ne 30% të të hyrave për tregun relevant në të cilën kompania e ka shkelur ligjin. Mirëpo GAP thotë se duke qenë se vendimi është marrë nga një institucion publik, AKK nuk ka kompetencë që t’i ndëshkojë kompanitë.

“Vendimi i BQK-së duket të jetë në kundërshtim edhe me rregulloren e miratuara nga vetë BQK lidhur me përcaktimin e tarifave për sigurimet e autopërgjegjësisë. Në të gjitha rastet kur përmenden tabelat e aktuarit për përcaktimin e tarifave, kjo rregullore i referohet kompanisë në njëjës me “siguruesi”, ndërsa në asnjë rast nuk i referohet këtyre tabelave si produkt në nivel të industrisë.

Përveç respektimit të parimeve të konkurrencës, Ligji për BQK i ka përcaktuar këtij institucioni edhe detyrën për informim Qeverisë së Kosovëa, Kuvendit të Kosovës dhe publikut lidhur me politikat, detyrat dhe operacionet e saj”, thuhet në raport. Instituti GAP i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës të angazhojë një kompani profesionale ndërkombëtare që të bëjë një vlerësim transparent të arsyeshmërisë të rritjes së tarifave të sigurimeve.

Sipas tyre, angazhimi i kësaj kompanie do të adresonte problemin e mungesës së kapaciteteve profesionale në BQK, dhe do të mundësonte që vlerësimi për tarifa të bëhej në përputhje me ligjet në fuqi duke e bërë vlerësimin për caktimin e primit të rrezikut për secilën kompani veç e veç. /Buletini Ekonomik/