Kush po synon ta marrë hotelin Grand?

Zinxhiri më i madh i hoteleve në botë, “Sheraton”, po synon Kosovën. Ky hotel, i pranishëm në rreth 450 vende të botës, dëshiron të shtojë në listën e tij edhe hotelin “Grand” në Prishtinë. Hoteli u privatizua në vitin 2006 në një vlerë mbi 8 milionë euro. Kontrata detyronte blerësin e hotelit “Grand” që të bënte investime në vlerë mbi 20 milionë euro dhe të punësonte 570 persona.

“Marriott Group”, të cilët janë edhe pronarë të “Sheraton”, prezantuan së fundmi së bashku me “Horwath HTL” projektin e kësaj marke ndërkombëtare për hotelin “Grand”. Prezantimi u bë në zyrën e Odës Amerikane, në kuadër të ligjit për investime strategjike. Gjatë ditës, ata u pritën edhe nga Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

“Marriott Group”, i cili po synon hotel “Grand”, është themeluar gati një shekull më parë në Uashington. Ai njihet si zinxhiri më i madh i hoteleve në botë, i pranishëm në më shumë se 130 vende. Gjiganti tjetër “Horwath HTL” është marka më e madhe për hoteleri në botë, me traditë më shumë se 100-vjeçare në këtë fushë.

Reklama e sponzorizuar

Pas takimit të dy kompanive të mëdha botërore së bashku me përfaqësues të Odës Amerikane, u mbajt edhe një konferencë për media, për të njoftuar opinionin me projektin që synojnë ta sjellin edhe në Kosovë. Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, tha se sjellja e “Sheraton” në Kosovë, do ta vendoste vendin në hartën e shteteve të cilat janë të hapura për turizëm. Ky hotel i mungon Kosovës dhe qytetit të Prishtinës.

“Është një nga markat më të njohura të kompanisë ‘Marriot’, bëhet fjalë për ‘Sheraton’. Sjellja e ‘Sheraton’ në Kosovë, natyrisht që do ta vendoste vendin në hartën e shteteve, të cilat janë të hapura për turizëm. Ky hotel i mungon vendit dhe qytetit të Prishtinës. Si shtëpi e bizneseve amerikane, natyrisht që do të jemi të hapur edhe për të mbështetur projekte të tilla. Ajo çfarë dua të them është se po e shohim si një vijimësi, ose si konfirmim të asaj që kemi thënë gjithmonë, interesimin e kompanive amerikane. Vetëm gjatë këtij viti ka pasur tre – katër kompani, që në fushën e teknologjisë dhe informacionit kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë zgjeruar operacionet e tyre dhe kjo tregon rritje të të bërit biznes”, tha Zeka.

Kurse Miroslav Dragicevic, përfaqësues i kompanisë “Horwarg HTL”, pohoi se planifikojnë të investojnë 40 deri në 50 milionë dollarë. “Grand Hotel Prishtina” u shit në vitin 2006 për 8 milionë euro, me kusht që aty të investohen rreth 20 milionë euro, por për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve, ai iu mor privatizuesit.

Por, mospërmbushja e zotimeve nga ana e blerësit thuhet se bëri që kjo ndërmarrje shoqërore të hynte në paqartësi, në mes blerësit të hotelit “Grand’”, Zylqif Berisha, pronar i kompanisë NTP “Unio Commerce” dhe AKP-së. Agjencia Kosovare e Privatizimit në vitin 2012 tërhoqi aksionet në ndërmarrjen e re “Grand Hotel” dhe e ktheu këtë ndërmarrje nën administrimin e vet.

Sa është vlera e hotel “Grand”

Hoteli tashmë është thuajse jashtë veprimtarisë për të cilën ishte destinuar në kohën kur u ndërtua 40 vjet më parë, në vitin 1978. Aktualisht, në hapësirat e hotelit “Grand” operojnë biznese të ndryshme, duke filluar nga shtëpi mediatike, zyra për shërbime të ndryshme ligjore, të kontabilitetit, organizata të huaja, zyra bankare, hapësira reklamuese, lojëra të fatit e shërbime mjekësore. Në fillim të veprimtarisë, hotel “Grand” numëronte rreth 800 punëtorë ndërsa aktualisht ka vetëm 80 punëtorë.

Hotel “Grand” u përurua më 25 prill të vitit 1978. Sipërfaqja e tij është përafërsisht 32.000 m². Hoteli ka 202 dhoma me një shtrat, 142 dhoma me dy shtretër, 9 dhoma me tre shtretër, 9 apartamente dhe 2 rezidenca. Behgjet Pacolli prej vitesh e llogarit si pronë të tij Hotelin “Grand” edhe pse Gjykatat e vendit nuk e njohin si blerës.

Edhe në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ministri i Punëve të Jashtme, njëherazi edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, e ka përfshirë hotelin “Grand” në listën e pasurive të paluajtshme të tij. Në bazë të deklarimeve të Pacollit, vlera e Hotelit dikur më të famshëm në Prishtinë, llogaritet të jetë 3 milionë e 630 mijë euro. Hotel “Grand” aktualisht është në proces likuidimi. Që nga marrja nën kontroll të drejtpërdrejtë të hotel “Grand” nga AKP dhe përfshirja e saj në likuidim. /Monitor.al/.