Nis protesta e punëtorëve të Telekomit, kërkojnë ndërprerjen e kontratës me Z-Mobile

Punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë hyrë në grevë të përgjithshme me qëllim të parandalimit të lidhjes së kontratës së re me “Z-Mobile”, teksa ata po paralajmërojnë edhe padi ndaj kësaj kompanie.

E kontrata në mes të Z-Mobile dhe Telekomit të Kosovës ka validitet vetëm edhe sot, 30 korrik 2019, ndërsa ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar për shkëputjen e kësaj kontrate, përveç një deklarimi publik që udhëheqësit e Telekomit e bënë ditë më parë.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, ka theksuar se punëtorët e Telekom-it në asnjë mënyrë nuk do të pranojnë lidhjen e një kontrate të re me Z-Mobile.

Reklama e sponzorizuar

Varësisht nga hapat që do t’i ndërmarrë menaxhmenti i Telekomit, Balaj  paralajmëron edhe ashpërsim të veprimeve të tyre sindikale.

“Sot do të vazhdojë greva në tërësi do të jemi komplet punëtorët këtu nga të gjitha regjionet këtu dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që të vazhdohet ndonjë kontratë tjetër me kompaninë Z-Mobile, tashmë është e ditur botërisht që kompania Z-Mobile i ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme Telekomit të Kosovës dhe ne nuk kemi nevojë që me një kompani që e ka sjell në këtë gjendje Telekomin me pas partneritet. Këshilli i grevave ka vendosur tashmë greva është e pashmangshme, nga sot do të jenë të gjitha regjionet në Prishtinë dhe krejt varet prej proceseve nëse do të ketë ndonjë lëvizje nga bordi dhe çdo tentim i vazhdimit të kontratës tjetër, apo zgjatjen e  një marrëveshje të re me Z-Mobile për ne është e papranueshme”, thotë ai.

Për dëmet e shkaktuara Telekomit kryesindikalisti, Lamih Balaj thotë se do ngrenë padi ndaj Z-Mobile, madje nëse është nevoja thotë se do padisin edhe menaxhmentin e Telekomit.

“Nuk ka mirëbesim ndaj një kompanie e cila të dërgon në arbitrazh e cila e ka thyer kontratën në vazhdimësi, unë nuk dua të besoj në vullnetin e kryeshefit dhe ndoshta edhe të bordit për mos vazhdimin e kësaj kontrate, por çdo tentim pa marr parasysh një, dy, tre dhe katër ose 10 për qind për ne është e papranueshme sepse tashmë Z-Mobile është kah dihet që e ka dëmtuar Telekomin e Kosovës dhe ajo ndoshta mundohet që hajde po e pranojmë një oferët sa për t’ia mbyllur opinionit publik sytë, por për ne është e papranueshme, këtu ka punë Prokuroria e Shtetit për të gjitha dëmet që Telekomit ia ka shkarkuar Z-Mobile edhe ne si Sindikatë jemi duke e përgatitur një padi që do e dërgojmë në gjykatë për dëmet që na janë shkaktuar, por sigurisht edhe menaxhmenti, nuk do ndalemi, nuk ka kontratë me Z-Mobile”, shprehet Balaj.

Derisa beson se vendimi për 25 milionët nuk do të ekzekutohet, Balaj madje kërkon nga Qeveria dhe sistemi i drejtësisë që të reagojë sa më parë edhe ta anulojë vendimin e arbitrazhit. /Gazeta Express/