Banka Qendrore e Kosovës ka vazhduar t’i japë pagë prej 2 mijë eurosh, Bedri Hamzës edhe një vit pas dorëheqjes së tij si guvernator i saj. Gjatë vitit 2018, sa ishte ministër i Financave, Hamza realizoi të hyra nga BQK-ja mbi 24 mijë euro. Këto mjete, ai i ka quajtur “kompensim” që ia mundëson ligji.
Mirjeta Shabani
Ministri i Financave, Bedri Hamza, në muajin qershor të vitit të kaluar, bëri jo pak bujë kur doli kundër vendimit të shefit të tij në qeveri, Ramush Haradinajt, për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë shtetëror. Hamza ishte i pari që e kundërshtoi vendimin e Haradinajt, me të cilin pagat iu rritën prej kryeministrit e deri te shoferët e qeverisë.
Por, një pagë tjetër nga një institucion publik duket ta ketë bërë kaq komod ministrin Hamza.
Ndonëse ministër i Financave nga fundi i vitit 2017, Hamza ka vazhduar të marrë pagë prej 2 mijë eurosh edhe nga Banka Qendrore e Kosovës gjatë tërë vitit 2018.
Hamza kishte dhënë dorëheqje nga pozita e guvernatorit në shtator të vitit 2017, për t’iu bashkuar qeverisë Haradinaj, si ministër i Financave.
Paga në BQK nuk është bërë publike deri në kohën e deklarimit të pasurisë muajin e kaluar. Aty, Hamza ka deklaruar të hyra nga BQK-ja në vlerë prej 24 mijë e 255 eurove, derisa te lloji i të hyrave, këtë pagë e ka cilësuar si “Paga BQK”. Kjo është për 5 mijë euro më shumë se sa paga si ministër i Financave, ku të hyrat vjetore kanë qenë 15 mijë e 257 euro.
Në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, të hyrat në BQK, edhe një vit pas dorëheqjes si guvernator, vetë Hamza i ka cilësuar si ‘kompensim’ që ia mundëson vet Ligji për Bankën Qendrore të Kosovës.
“Unë jam kompensuar për një pjesë të vitit 2018. Kjo është e rregulluar me Ligjin për BQK-në, që thotë se guvernatori edhe një vit pasi të largohet nga BQK-ja, nuk ka të drejtë të punojë në sektorin financiar dhe se i takon një kompensim”, ka thënë ish-guvernatori, tash ministër i Financave.
Buletini Ekonomik ka analizuar Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës, përkatësisht nenin 44, ku thuhet se “Ish-anëtarët e Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës apo të Bordit Ekzekutiv nuk do të shërbejnë në asnjë lloj cilësie në një bankë apo institucion tjetër financiar në Kosovë, për një periudhë një vjeçare pas largimit nga BQK-ja”.
“Gjatë periudhës së kufizimit, Bordi i Bankës Qendrore mund të përcaktojë një nivel të duhur kompensimi për t’u paguar ndaj këtyre ish-anëtarëve të Bordit Qendror dhe Bordit Ekzekutiv”, thuhet në ligj.
Ndërkohë, guvernatori në të njëjtën kohë është edhe anëtar i Bordit ekzekutiv të BQK-së. Në Bankën Qendrore të Kosovës, këtë rast nuk e kanë komentuar fare. /Buletini Ekonomik/