Dy banka në Kosovë i shtrenjtojnë shërbimet për tërheqje në bankomatë

Euro

Bankat në Kosovë aplikojnë tarifa për klientët edhe për tërheqjen e parave. Çmimi varion nga ajo nëse tërheqja bëhet në sportelet e bankave, që janë dukshëm tarifa më të larta, në bankomatët brenda degëve apo në bankomatët që janë në pika të ndryshme të qyteteve.

Buletini Ekonomik ka hulumtuar çmimoret e gjashtë bankave më të mëdha që operojnë në Kosovë. Në përditësimin më të ri të çmimoreve të këtyre bankave, shihet se dy banka në Kosovë kanë shtrenjtuar çmimin e shërbimit të tërheqjes së parave nga bankomatët (ATM).

Këto dy banka janë Raiffeisen Bank dhe NLB banka, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Nga një çmim prej 20 centësh sa ka qenë tarifa për tërheqje të të hollave deri në 1 mijë euro në bankomatët brenda degës së bankës vitin e kaluar, Banka Raiffeisen tani aplikon një tarifë prej 50 centëve për të njëjtin shërbim.

Po e njëjta tarifë, tani e tutje aplikohet edhe për tërheqjet e të hollave nga bankomatët jashtë lokacioneve të bankës në fjalë, që vitin e kaluar ishte vetëm 30 centë. Ndërkohë, për tërheqjen e mjeteve për shumat mbi 1 mijë euro, tarifa shkon në 1 euro për transaksion në këtë bankë.

Për rastet e tërheqjeve të mjeteve në sportelet e kësaj banke, klientët e Raiffeisen duhet të paguajnë 2 euro e 50 centë për shumat deri në 100 mijë euro. Kurse për deponimin e mjeteve nëpër ATM-të e bankës Raiffeisen, aplikohet tarifë prej 50 centëve deri në shumën e 1 mijë eurove, dhe 1 euro mbi shumat prej 1 mijë eurove.

Banka tjetër, e cila ka shtrenjtuar shërbimin për tërheqje të parave nga bankomatët e saj është NLB-ja.

Vitin e kaluar, ky shërbim në këtë bankë për tërheqjet nëpër ATM-të brenda degës, ishte 10 cent, kurse jashtë degës – 15 cent, për kartelat debitore. Ndërsa tani, NLB-ja ka shtrenjtuar vetëm shërbimin për tërheqjet e mjeteve nga bankomatët jashtë lokacioneve të bankës. Kështu, nga çmimi prej 15 centësh vitin e kaluar, tani tërheqja e parave në bankomatët jashtë degës së bankës NLB, i detyrohet një tarife prej 30 centëve.

Kurse, për tërheqjen e parave në ATM të NLB grupit, klientët duhet të paguajnë tarifën prej 1 eurosh.

E tërheqja në ATM-të e bankave tjera (brenda dhe jashtë shtetit) është 3 euro për klientët e kësaj banke.

Ndërkohë, për çdo tërheqje nga 5 euro deri në 1 mijë euro në sportelet e kësaj banke, çdo person fizik duhet të paguajë tarifën prej dy eurove. Përjashtim këtu bëjnë pensionistët, studentët, llogaritë për jetimë dhe ata me asistencë sociale, që këtë shërbim e marrin pa provizion.

Tutje, Banka Kombëtare Tregtare (BKT) në Kosovë, shërbimin për tërheqje të mjeteve nga bankomatët e saj, si brenda degës ashtu edhe jashtë lokacioneve të bankës, e ka pa pagesë. Por, për tërheqjet e të hollave nga bankomatët e bankave të tjera dhe atyre jashtë Kosovës, klientëve të kësaj banke iu duhet të paguajnë tani nga 3 euro minimumi, nga dy euro sa ka qenë vitin e kaluar kjo tarifë. Limiti ditor për tërheqje të mjeteve nga bankomatët e kësaj banke, është 1 mijë euro.

Edhe banka TEB këtë shërbim e ka falas, ndërsa për tërheqjen e mjeteve në sportele të bankës kalkulon një tarifë prej 1 euro deri në 2 për shumat deri në 10 mijë euro. E për tërheqjen e parave të gatshme në bankomatët e bankave të tjera brenda Kosovës dhe jashtë saj, TEB-i merr 2.0% të vlerës së mjeteve apo minimumi 2 euro për transaksion.

Limiti maksimal ditor për tërheqje të parave të gatshme në ATM-të e TEB bankës në Kosovë me Debit Kartelë, është 2 mijë euro. Kurse, deponimi i parave në ATM-të e kësaj banke, është pa pagesë.

Tek banka Procredit, tërheqja dhe deponimi i parave në bankomatet e saj me kartelë debiti, hyn në pakon bazike prej 5 eurove në muaj, ku përfshihen shërbimet për komisionin mujor.

Kurse, tërheqja në bankomate të bankave tjera në Kosovë dhe jashtë Kosovës (pas tërheqjes së pestë brenda muajit), është 2.25% të shumës ose minimumi 3 euro.

Gjithashtu edhe Banka Ekonomike e ka pa pagesë shërbimin për tërheqjen e parave në bankomatët që janë në objektet e bankës, derisa për tërheqjet në bankomatët jashtë objekteve të saj, aplikon tarifë prej 15 centëve. Ndërsa, për tërheqjen e parave në bankomatët e bankave tjera në Kosovë dhe jashtë Kosovës, merret 2% e shumës apo minimumi 3 euro.

Limiti ditor i transaksioneve në bankomatët e Bankës Ekonomike, është 500 euro. (M.Shabani)/Buletini Ekonomik/