Përplasje mes NISMA’së dhe AAK’së: Kapen për Autostradën e Dukagjinit që kushton 1 miliardë euro

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha ka zbuluar se pika që ka hasur probleme dhe ndan partinë e tij me AAK’në është ‘Autostrada e Dukagjinit’

Berisha ka thënë se ideja e ndërtimit të autostradës e cila po proklamohet, është e gabuar.

Ai thotë se duhet të jetë një autostradë e tipit të hapur, pasi që thekson se shumë biznese janë në atë rrugë dhe me lëvizjen e trasesë shumë prej tyre do të falimentojnë. Ai ka thënë se tipin e mbyllur të autostradës do ta kundërshtojnë edhe në Kuvend.

Reklama e sponzorizuar

“Ky është projekt që kushton mbi 1 miliard euro dhe si i tillë duhet të analizohet”, thotë ai.

Ai ka thënë se autostrada mund të jetë pikë kyçe e cila i ndan me AAK-në.

“Edhe me u rreziku Qeveria nuk bëhet nami, me rëndësi është të shpëtohet shteti. Ne duhet të mendojmë për qytetarët. Kemi prioritete të tjera për të cilat mendoj që edhe kryeministri edhe të gjithë e dinë”, thotë ai në Interaktiv të KTV’së.

Ai thotë se Qeveria nuk duhet të ngulë këmbë për të ndërtuar një autostradë e cila, sipas tij, nuk është edhe aq e nevojshme.

Sipas tij, brenda koalicionit nuk është diskutuar asnjëherë për zgjedhjet e parakohshme. /Gazeta Express/