Propozohet ndryshimi i Ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë

Situata e keqe e sigurisë dhe e shëndetit në punë ka shtyrë Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale që të merret me këtë çështje.

Sipas të dhënave të Ministrisë, numri i aksidenteve fatale në vendin e punës është në rritje, ndërkohë që numri i aksidenteve me lëndime thuhet se nuk është i besueshëm dhe vlerësohet si i nënraportuar. Për të përmirësuar gjendjen në këtë fushë, kjo ministri ka hartuar një koncept-dokument, me të cilin synohet të adresohen problemet e shfaqura për vite me radhë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Me anë të ndryshimeve të propozuara parashihet që secila ndërmarrje me më shumë se dhjetë të punësuar të ketë ekspertë të sigurisë dhe të shëndetit në punë. Sipas koncept-dokumentit, me dispozitat e ligjit të ri pritet të mbrohen edhe të aksidentuarit në punë që nuk kanë kontrata të punës. Ndërkohë që pritet të adresohen edhe çështje sa u përket sëmundjeve profesionale.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave të raportuara nga Inspektorati i Punës, për numrin e aksidenteve në punë për dhjetë vjetët e fundit kanë humbur jetën 172 persona. Në vitin 2016, në vendin e punës, kanë humbur jetën 9 persona, në vitin 2017, 14 persona, ndërsa në vitin e kaluar 22 persona. Ndërkohë, sipas këtyre të dhënave, në 10 vjetët e fundit janë raportuar 662 aksidente me lëndime në vendin e punës. Në vitin 2016 janë raportuar 62 aksidente, në vitin 2017 janë raportuar 50 aksidente dhe në vitin 2018 janë raportuar gjithsej 125 aksidente me lëndime në vendin e punës.