Radosavleviq: Nga taksa humbës është buxheti i Serbisë, fitues Ramush Haradinaj

Në debatin “Taksa 100 për qind, kush fitoi, e kush humbi dhe çfarë?”, kryetari i Asociacionit të afaristëve serbë në Kosovë, Sasha Sekuliq, përveç mungesës së mallrave të cilat janë harxhuar, sektori i tregtisë ka pasur më së shumti probleme, sipas të cilit bëhet fjalë për 1 mijë artikuj ku shumica prej tyre mungojnë.

Problem tjetër sipas Sekuliq është edhe mungesa e produkteve bujqësore.

Ai po ashtu tha se rrethanat e krijuara politike në Kosovë, pamundësojnë edhe më tej heqjen e taksës.

Reklama e sponzorizuar

Zëvendësministri në detyrë i Financave, Fatmir Gashi, tha se vendimi qeveritar për mallrat serbe është për të ndaluar agresivitetin e Serbisë ndaj Kosovës.

Sipas tij, Kosova ka  përfituar 7 milionë euro nga të hyrat doganore që nga hyrja në fuqi e taksës ndaj mallrave serbe dhe atyre nga Bosnja.

Zëvendësimi i produkteve serbe, sipas Gashit është bërë nga shtetet fqinjë dhe BE.

Gashi ka theksuar se humbës nga taksa janë vetëm bizneset në Serbi. 

Ndërsa, Nenad Radosavleviq nga Lidhja për Kosovën, tha se taksa 100 për qind është ‘një marrëzi’, dhe siç tha, me këtë vendim është e pa kuptimtë të pritet njohja nga Serbia.

Sipas tij, humbës janë prodhuesit serbë, tregtarët dhe buxheti i Serbisë, ndërsa fitues është kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj.

Kryetari i Shoqatës ‘Konsumatori’, Selatin Kaçaniku, theksoi se taksa 100 për qind për produktet e Serbisë nuk është marrë në bashkëpunim me konsumatorët dhe asnjë herë nuk është thënë nga qeveria se është në dobi të tyre.

Ndryshe, vendimi 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake është marrë nga Qeveria e Kosovës më 21 nëntor 2018. Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj disa herë ka përsëritur se taksa do të hiqet vetëm atëherë kur Serbia ta njohë Kosovën. /Gazeta Express/