Kosovarët shpenzojnë më shumë për gjëra të luksit sesa në arsim e shëndetësi. Statstikat zyrtare tregojnë se ata i japin rëndësinë e njëjtë arsimit dhe gjërave të lluksit, përkatësisht duhanit dhe alkoolit duke shpenzuar në të njëjtën mënyrë buxhetin e familjes, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ekonomitë familjare gjatë vitit 2017, kanë shpenzuar 4 përqind në total, në fushën e arsimit ndërsa në vendbanimet urbane 23 përqind. Për dallim nga qytetet, fshatrat kanë shënuar rënie gjatë vitit 2017, në krahasim me vitin 2016, me 14 përqind.
Sa i përket shpenzimeve për shëndetësinë, në vitin 2017 krahasuar me vitin 2016, vërehet një rritje në vendbanimet urbane, 33 përqind, ndërsa në total dhe vendbanimet rurale vërehet një rritje konstante gjatë viteve 2015-2017.
Ndërkaq, në buxhetin e përgjithshëm të ekonomisë familjare në vitin 2017, alkooli dhe duhani marrin pjesë me 4 përqind, apo 344 euro në vit. Alkooli dhe duhani në vitin 2017, ka pasur rritje në të gjitha grupet krahasuar me vitin 2016, me 12 përqind në total ndërsa në qytete rreth 13 përqind dhe në fshatra 10 përqind.
Te duhanpirësit në vitin 2017, po ashtu vërehet një rritje e lehtë e konsumimit te femrat. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/