Telekomi në kaos: Punëtorët në grevë, nesër vendoset për kontratën me Z-Mobile

Drejtuesit e sindikatës së punëtorëve në Telekom, kanë paralajmëruar që sot do të futën në grevë të përgjithshme për parandalimin e lidhjes së kontratës së re me “Z-mobile”, ku edhe do të kërkojnë nga gjykatat e vendit që mos të lejojnë ekzekutimin e vendimit të Arbitarzhit për përmbarim. Edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje po kërkojnë që kontrata me Z-Mobile të ndërpritet menjëherë.  Telekomi i Kosovës aktualisht gjendet në krizë të thellë financiare ku po rrezikon të falimentojë dhe 2500 punëtorë do të mbesin pa punë.

Më 30 korrik (të martën)  do të dihet përfundimisht rreth fatit të kontratës Telekomit të Kosovës dhe kompanisë  Z-Mobile. 

Nesër është afati i fundit ku Telekomi duhet të vendos që të vazhdojë apo ta ndërpresë kontratën me këtë kompani. 

Reklama e sponzorizuar

Drejtori menaxhes i Telekomit Bedri Istrefi deri më  tash nuk ka dhënë përgjigje përfundimtare për këtë çështje, vetëm se ka thënë se nesër do të behën publike të gjitha detajet. 

“Me datën 30 të gjitha detajet bëhen publike…Para datës 30 nuk guxoj asnjë informacion me dhanë sepse mundet të ndikojë në MSA që jemi të obliguar në mirëbesim që ta zbatojmë”. 

Kurse, drejtuesit e Sindikatës së Punëtorëve në Telekom kanë paralajmëruar që sot do të futen në grevë të përgjithshme për parandalimin e lidhjes së kontratës së re me “Z-mobile”, me ç’rast do të kërkojnë nga gjykatat e vendit që të mos lejojnë ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit për përmbarim.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj,thotë se beson që vendimi për 25 milionë euro nuk do të ekzekutohet.

“Nga 23 korriku është formuar këshilli i grevave për organizimin dhe grupimin e punëtorëve, që më 29 korrik të fillojë të mbahet greva”. 

E deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dalë me reagime, duke kërkuar që Kontrata e Telekomit me Z-Mobile të mos vazhdohet.

Ata po thonë se me 30 korrik kjo kontratë duhet të marrë fund. 

 “Asnjë kusht nuk është i pranueshëm. Kontrata e Telekomit me Z-Mobile duhet të mosvazhdohet. Çdo negociim për vazhdim është i papranueshëm.  30 korrik #Fund”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, deputeti Liburn Aliu.

Një reagim të tillë e ka bërë edhe bashkëpartiaku i tij, Glauk Konjufca. Ai ka thënë se negocimet me kushte janë alibi për vazhdimin e dëmtimit të Telekomit

“Po flitet në media se Telekomi i paska vendosur disa kushte Z-mobile për t’ia vazhduar kontratën. Drejtuesit e Telekomit duhet ta kenë parasysh se Kontrata e Telekomit me Z-Mobile duhet të mos vazhdohet. Pikë.  Negocimet me kushte janë alibi për vazhdimin e dëmtimit të Telekomit. Nuk ka asnjë kusht që vlen në këtë drejtim. 30 korrik #Fund”, ka shkruar Konjufca.

Ditë më parë, para Telekomit të Kosovës protestuan dhjetëra punëtorë që kërkuan që kontrata 10 vjeçare me Dardafonin të ndërpritet. Kurse Z-Mobile ka dërguar te përmbaruesit lëndën për kthimin e borxhit që PTK’ja ka në raport me Devollët.

Kujtojmë se Telekomi i Kosovës aktualisht gjendet në krizë të thellë financiare  ku po rrezikon të falimentojë dhe 2500 punëtorë do të mbesin pa punë.

Borxhi prej mbi 25 milionë euro që Telekomi i Kosovës i ka kompanisë Z-Mobile, ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G.

Kompania Z-Mobile ekzekutimin prej rreth 26 milionë euro po e kërkon nga Telekomi i Kosovës mbi bazën e vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit në Odën Ekonomike Ndërkombëtare të vitit 2016.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Kjo kompani ka përafërsisht 2400 punonjës, kurse paga mesatare llogaritet të jetë mbi 730 euro. Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës. /Monitor.al/