Valuta Libra e Facebook do të krijojë probleme tatimore për përdoruesit, thonë avokatët

Përdoruesit e ligjshëm do të duhet të identifikojnë çdo transaksion dhe të llogarisin fitimet kapitale.

Monedha dixhitale e propozuar e Facebook, Libra, do të shkaktojë probleme të menjëhershme tatimore për përdoruesit në Evropë që do të pengojnë përdorimin saj të zakonshëm, deklarojnë avokatët e çështjeve tatimore.

Problemi i taksave buron nga ideja e Facebook-ut që të lidh vlerën e Libra me një ‘shportë’ monedhash në nivel global në vend që ta rregullojë atë në vlerë kundrejt monedhës vendase të përdoruesve të saj.

Reklama e sponzorizuar

Kur ndryshojnë normat e këmbimit global, vlera e brendshme e aseteve të Libra’ve të një përdoruesi do të ndryshojë në përputhje me rrethanat, duke krijuar fitime apo humbje kapitale, të cilat do të realizoheshin sa herë që dikush përdorte Libra për të bërë një blerje.

Dan Neidle, një partner në firmën ligjore Clifford Chance, tha se kjo do të ishte një “problem unik” për përdoruesit që ndjekin ligjin.

“Në shumicën e vendeve përfitimet do të jenë të tatueshme, domethënë konsumatorët do të duhet të paraqesin një deklaratë të hollësishme tatimore që tregon të gjitha transaksionet e tyre dhe kursin e këmbimit në atë kohë dhe të paguajnë çdo taksë të duhur”, tha ai. “Kjo na duket të jetë një pengesë e rëndësishme për adoptim të gjerë.”

Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, kushdo që plotëson një deklaratë të vetëvlerësimit, pritet të raportojë fitimin ose humbjen ndaj HM Revenue & Customs (HMRC) për çdo transaksion për të përcaktuar nëse një detyrim tatimor mbi fitimet kapitale u ngrit.

Megjithëse tatimi do të ishte i pagueshëm vetëm nëse fitimet e përgjithshme kapitale tejkalonin përjashtimin nga taksat vjetore prej 12,000 paundësh, “përdoruesit e shpeshtë të Librës do të kenë sfidë të madhe kalkulimin e detyrimeve tatimore”, tha z. Neidle.

Në vende të tjera, problemi mund të jetë edhe më serioz, pasi shumë vende nuk kanë fare përjashtime për fitime kapitale vjetore, si psh. në Francë, Itali apo Spanjë, dhe në disa tjera kanë një kufizim shumë më të vogël për përjashtime prej €600 në Gjermani.

Kosto e tatimeve dhe barazimit me agjencione tatimore do të parandalojnë rritjen e shpejtë të Librës, tha z. Neidle. “Unë nuk shoh se si Facebook mund të promovojë një produkt të bazuar në njerëzit që i shmangen taksave, madje edhe në një shkallë të vogël, ose se si rregullatorët do të lejonin që kjo të ndodhte”, tha ai.

Facebook ka pranuar se ka një problem potencial që rrjedh nga monedha e saj dixhitale, dhe se si do të trajtohet ‘aseti’ nga ligjet e tatimeve, dhe ka deklaruar publikisht se “duhet punuar me politikëbërësit dhe të sqarojnë aplikimin e ligjeve ekzistuese tatimore për monedhat digjitale, ose në disa raste të ndryshoj ato ligje”.

Facebook ka deklaruar se tatimi ishte një çështje që duhej të adresohej me rregullatorët dhe se është në dorën e përdoruesve për të siguruar që ata janë në përputhje me ligjet vendore.

Një zëdhënës i Facebook ka shkruar se: “Njerëzit do të jenë përgjegjës për paraqitjen e taksave të tyre në përputhje me ligjet vendore në juridiksione në të cilat ata veprojnë. Presim që shumë kuleta dhe shërbime financiare të ndërtuara në Bllokun e Librës do t’u sigurojnë njerëzve mjete për të ndihmuar në menaxhimin e kësaj.”

HMRC tha se ishte shumë herët për të dhënë një pikëpamje përfundimtare mbi implikimet tatimore të Librës, por se nuk i konsideronte asnjë nga kriptoasetet si monedha sepse ato nuk janë të lëshuar nga ndonjë qeveri e huaj.