Nuk do të vazhdohet më kontrata e Telekomit me Dardafon LLC (e njohur si Z Mobile), e cila skadon nesër.
Sipas Visar Ymerit, kjo kontratë i ka shkaktuar dëme të mëdha financiare dhe ngarkesa të papërballueshme tekniko-teknologjike Telekomit të Kosovës, përcjell Buletini Ekonomik.
“Përveç se është dëmtuar kompania më e suksesshme publike e Kosovës, janë dëmtuar edhe abonuesit e saj, pra qytetarët e Kosovës, shërbimet e komunikimeve elektronike, të cilët kanë pësuar një degradim të vërejtshëm”, ka shkruar ai në Facebook.
Ymeri ka bërë të ditur se e gjithë merita për mosvazhdim kontrate, mbi të gjitha i takon këmbëngulësisë dhe punës së palodhshme të sindikalistëve të Telekomit, të cilët e vetëdijësuan opinionin për dëmet e kontratës dhe u angazhuan drejtpërdrejt për ta mbrojtur interesin e ndërmarrjes.
Gjithashtu, Ymeri ka bërë thirrje që ARKEP duhet menjëherë të vendos që 300 mijë numrat në përdorim të Z Mobile, t’i kthehen Telekomit të Kosovës, i cili e ka edhe Autorizimin individual për përdorim të numeracionit, në mënyrë që ata numra të shfrytëzohen nga Vala 900.
Në procesin hetimor parlamentar, në të cilin Ymeri së bashku me deputetët e të gjitha grupeve parlamentare kanë punuar intensivisht prej shkurtit, ai tha se kanë evidentuar dëme të shumta, që i janë shkaktuar Telekomit edhe nga kontrata tjera abuzive, përveç kësaj me Z Mobile, të cilat sipas tij pas hetimeve do të shkëputen, në mënyrë që Telekomit t’i krijohet hapësirë dhe mundësi financiare për t’u zhvilluar, ristrukturuar e konsoliduar. /Buletini Ekonimik/