Zgjedhjet e parakohshme Kosovës mund t’i kushtojnë deri në 5 milionë euro

Që nga viti 2010, asnjë qeveri e Kosovës nuk ka arritur të përfundojë mandatin kushtetues katërvjeçar, çka si pasojë ka imponuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Përveç efekteve politike, shkuarja e shpeshtë në zgjedhje, sipas organizatave joqeveritare, po i kushton edhe buxhetit të Kosovës me harxhimin e paplanifikuar të miliona eurove.

Këtë vit, në Kosovë u organizuan zgjedhje të jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore, pas dorëheqjeve të katër kryetarëve të atyre komunave. Për organizimin dhe mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pati konfirmuar se ishin shpenzuar më shumë se 471 mijë euro.

Reklama e sponzorizuar

Aktualisht, Kosova nuk është në proces zgjedhor, por është në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Bazuar në qëndrimet e shprehura, partitë politike janë deklaruar se i preferojnë zgjedhjet e parakohshme dhe po presin nga presidenti i Kosovës që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme kushtetuese e ligjore.

Sipas llogaritjeve të para, këto zgjedhje, krahasuar me shumën e shpenzuar gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, mund t’i kushtojnë Kosovës nga 4 deri në 5 milionë euro.