Banorët e dhjetëra fshatrave të Komunës së Ferizajt prej disa vjetësh po vazhdojnë të përballen me kundërmim nga rrjetet e kanalizimit që po derdhen në lumin Nerodime.
Me një gjendje më të rëndë po përballen banorët e fshatrave Varosh dhe Gurëz, ndërkohë banorët janë ankuar disa herë në Komunë, mirëpo deri tashti nuk janë shqyrtuar ato.
Në Komunën e Ferizajt kanë thënë se rreth 70 për qind të ujërave të zeza të kësaj komune derdhen në lumin Nerodime, po ashtu kanë thënë se janë të njoftuar me gjendjen e ndotur të lumit, mirëpo janë duke i shikuar mundësitë financiare në bashkëpunim me donatorë të huaj për ndërtimin e një kolektori i cili përfshin trajtimin e ujërave të zeza për dhjetëra fshatra. Visar Heda, banor nga fshati Varosh, është ankuar se një pjesë e madhe e fshatit po i derdhin ujërat e zeza në lumit Nerodime, ndërkohë shtrati i lumit është mbushur me mbeturina të cilat po e vështirësojnë jetesën e qytetarëve. “Lumi në këtë territor është mbushur me mbeturina dhe askush nuk po intervenon për t’i pastruar ato. Po ashtu një pjesë e fshatit nuk e kanë të rregulluar rrjetin e kanalizimit e ujërat po derdhen në lumë. Gjatë temperaturave të larta kemi shumë telashe me kundërmim. Mbeturinat më së shumti po i hedhin banorët në mungesë të lokacioneve përkatëse, kurse tash ujërat e lumit janë pakësuar dhe aty nuk ka mbetur asnjë peshk. Prandaj kërkojmë nga Komuna të marrë masa për pastrimin e shtratit të lumit dhe të trajtohen ujërat e zeza për të gjitha këto fshatra”, ka thënë Heda.