Çka është teknologjia “FinTech”?

Teknologjia financiare, ose e njohur shkurtimisht si “FinTech”, është një nga fushat më interesante dhe në rritje të shpejtë në biznesin global sot.

Kompanitë që përdorin teknologji dixhitale dhe online të zhvilluara rishtazi në industritë e shërbimeve financiare, mënyrat se këto shërbime financiare ofrohen dhe si ndikojnë tek konsumatorët, janë shumë komplekse. Në fakt, për një periudhë relativisht të shkurtër kohore, shfaqja e një gjenerate të re e kompanive FinTech ka ndikuar shumë në mënyrën e të bërit biznes, si ndërveprojnë konsumatorët dhe si po mendojnë për të ardhmen e financave.

Ekzistojnë një larmi faktorësh që ndikojnë kur shikojmë zhvillimin e sistemit financiar në vend, duke filluar nga avancimet teknologjike që kanë ndryshuar mënyrën se si ne bëjmë pothuajse gjithçka në jetën tonë të përditshme. Duke ofruar shërbime financiare me teknologji, sjellja e konsumatorit ka ndryshuar, duke i bërë ata të kërkojnë shërbime financiare më të personalizuara, më të shpejta dhe më të lira. Me më shumë kompani financiare që përdorin teknologji të avancuar në sistemet e tyre si inteligjenca artificiale (AI), shërbimet financiare dhe produktet ofrohen më shpejt dhe më të përshtatshëm për konsumatorët.

Reklama e sponzorizuar

Kompanitë financiare në të gjithë botën kanë ndryshuar mënyrën se si njerëzit mendojnë për paratë, që është diçka që po vjen në vendin tonë me një ritëm të shpejtë. Zhvillimi i shpejtë i sistemit financiar po shkon drejt modeleve të biznesit që përdorin “para të gatshme” sa më pak të jetë e mundur, duke i bërë konsumatorët të adoptojnë zakonin e transaksioneve dixhitale. Transferimet e pagesave nëpërmjet telefonit janë një shembull tjetër i avancimeve të FinTech që shumë konsumatorë kanë adoptuar sot.

Institucionet e shërbimeve financiare tradicionale duhet ta konsiderojnë FinTech si një partner për të zhvilluar më tej industrinë financiare, duke përqafuar inovacionet që sjellë teknologjia dhe duke e transformuar industrinë nga jashtë, dhe të kenë sukses në fushat ku institucionet tjera financiare tradicionale kanë dështuar. Kompanitë FinTech tani po udhëheqin industrinë dhe po krijojnë një gamë të gjerë të produkteve dhe shërbimeve të reja financiare, me qëllimin për ta bërë menaxhimin e parave më të lehtë dhe më efektiv.

Qasja në fonde është bërë shumë më transparente dhe më pak e centralizuar në të gjithë botën, dhe mënyra tradicionale e huazimit të parave nga një bankë përmes kredive dhe hipotekave po bashkohet nga modele të reja të financimit si “crowd-funding” dhe “peer-to-peer lending”. Këto metoda të reja, jo-tradicionale të ndarjes së parave kanë lejuar lulëzimin e investitorëve ndërsa u japin qasje në hua atyre që mund të mos kualifikohen për një hua tradicionale në paratë e nevojshme përmes burimeve të tjera.

Prandaj, është e domosdshme që edukimi financiar të jetë një nga temat kryesore që duhet trajtuar nga institucionet financiare si dhe organet rregullative në vend, për të gjitha nivelet e shoqërisë përfshirë studentët dhe familjet si dhe për pensionistët, pasi FinTech ka për qëllim të sigurojë gjithëpërfshirje financiare, prandaj është e nevojshme që të kemi njerëz të edukuar financiarisht që të dijnë të menaxhojnë financat e tyre në mënyrën më të përshtatshme për ta.

Ku shkojmë nga këtu?

Përderisa avancimet në fushën e FinTech kanë ndodhur me shpejtësi të madhe, ne vetëm kemi filluar të prekim në sipërfaqen e asaj që është e mundur dhe që ka të ngjarë të ndodhë në vitet e ardhshme. Nuk është ekzagjerim të thuash që FinTech po ndryshon jetën dhe zakonet tona duke e bërë më të lehtë tregtimin, bankën dhe shkëmbimin e parave pa pasur nevojë për ndërveprim fizik njerëzor. Sidoqoftë, sektori financiar ka disa sfida për të kaluar, veçanërisht në aspektin rregullativ dhe mbrojtjen e të dhënave, për të fituar besimin e konsumatorit dhe që FinTech të përfshijë në tërësi tregun. Me të gjitha avancimet teknologjike në përdorim ose që janë në horizont, udhëheqësit e biznesit këshillohen të kërkojnë mundësi dhe të adoptojnë aplikacione FinTech në modelet e tyre të biznesit për të fituar konsumatorët e nesërmëm.