Edhe Qeveria e ardhshme me shumë ministra e zëvendësministra

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, që tashmë ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, kishte më së shumti ministri nga të gjitha qeveritë e pasluftës.

Kabineti në largim, kishte 21 ministri, pesë zëvendëskryeministra dhe mbi 80 zëvendësministra, e që të gjithë këta zyrtarë, kanë të punësuar edhe numër të madh të këshilltarëve të tyre politikë, shoferë si dhe të punësuar të tjerë.

Kjo qeveri që rriti numrin e ministrive, krijoi një projekt-ligj, që synonte zvogëlimin e tyre. Mirëpo, Haradinaj dha dorëheqje e projekt-ligji ka mbetur vetëm në letër dhe nuk është proceduar.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Besnik Tahirit, kryesues i Komisionit për hartimin e projekt-ligjit, gjithçka është gati dhe vetëm duhet të procedohet për votim. Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë, se duhet të ketë vullnet politik nga ekzekutivi i ardhshëm, që ky projekt-ligj do të miratohet.

“Ligji është i përfunduar, ligji është gati dhe procesi i punës është gjithçka e dokumentuar në raport. Është vetëm vullneti politik që ne e kemi pasur, dhe shpresoj në qoftë se vijmë ne e kalojmë shpejt, në qoftë se jo, është dikush tjetër, atëherë do të ketë vullnet të shtyhet përpara”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, i cili gjatë kësaj qeverisjeje, ishte edhe Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, projekt-ligji parasheh zvogëlimin e ministrive.

“Ajo që kemi është se kemi parë se diku 10 apo 11 ministri do të duhej të kishte secili shtet dhe pastaj mbi të, të ndërtohet në bazë të specifikave. Këtë e kemi bërë dhe kemi ardhur te numri 15 i ministrive, sikurse e kemi përcaktuar saktë, asnjë ministri nuk mund të ketë më shumë se dy zëvendësministra dhe njëkohësisht (qeveria) dy zëvendëskryeministra”, tha Tahiri.

Qeveria e Kosovës më e madhe se ajo e Gjermanisë

Qeveria e Sllovenisë me dy milionë banorë ka 16 ministri, ajo e Estonisë 15 si dhe shteti me ekonominë më të fortë në Evropë, Gjermania, ka gjithsej 14 ministri.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga mesatare në sektorin privat në Kosovë është 384 euro, ndërsa në sektorin publik paga mesatare është rreth 500 euro.

Paga e kryeministrit të Kosovës, është 2,950 euro, ndërsa e zëvendëskryeministrit 2,500 euro. Ministrat në Kosovë marrin pagë 2 mijë euro, kurse një zëvendësministër paguhet 1,150 euro. Këto paga nuk përfshijnë edhe shpenzimet tjera siç janë; këshilltarët, veturat, shoferët, asistentët administrativë, telefoni si dhe shumë shpenzime tjera.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile vlerësojnë se qeveria e ardhshme, duhet gjithsesi të zvogëlojë numrin e ministrive.

Ata thonë se numri i madh i ministrive dhe zëvendësministrave është bërë për t’ua plotësuar kërkesat e partive të mëdha dhe të vogla në koalicion qeveritar që të kenë prani të tyre në qeveri.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se ky projekt-ligj është mëse i nevojshëm për funksionimin normal të ekzekutivit.

Murati tha se deri tani secila qeveri që ka ardhur në pushtet, ka pasur tendenca të degradimit sa i përket numrit të ministrive, pastaj rritjes së vazhdueshme të numrit të zëvendësministrave.

Kjo sipas Muratit, paraqet edhe probleme tjera siç është çështja financiare, pasi kjo është një kosto shumë e madhe për qytetarët e Kosovës.

“Faktikisht Qeveria Haradinaj ka qenë më e madhja prej të gjitha qeverive që i kemi pasur. Po shpresoj që Qeveria e radhës do të marrë hapa konkret që të mos lejojë që të kemi një kabinet kaq të madh dhe duhet të procedohet sa më shpejt me projekt-ligjin për Qeverinë. Çështja është se subjektet politike në masë të madhe edhe tash kanë kërkuar një projekt-ligj të tillë, mirëpo si duhet po sillen ndryshe kur subjektet vijnë në pushtet”, tha Murati.

Ministrat marrin rroga edhe pas përfundimit të mandatit

Valmir Ismaili nga organizata Demokraci Plus, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk ka nevojë për më shumë se 12 deri në 15 ministri.

Por, kjo sipas tij, varet shumë nga vullneti i partive politike, si dhe nga rezultati i zgjedhjeve dhe se sa i madh do të jetë koalicioni parazgjedhor që do t’i fitojë zgjedhjet dhe pastaj do ta bëjë Qeverinë.

Ismaili tha se Projekt-ligji për Qeverinë, më shumë është një farsë, pasi sipas tij, numri i ministrive nuk mund të rregullohet me ligj.

“Në fakt, Qeveria Haradinaj do të duhej që vetë të krijonte një shembull dhe të kishte një qeveri të vogël dhe pastaj ndoshta kjo do të duhej të ndryshohej me Kushtetutë, sepse përndryshe aktualisht nuk mund të rregullohet me ligj të veçantë. Assesi do të thotë as Kushtetuta e asnjë ligj tjetër nuk e ndalon një qeveri që të jetë më e vogël në numër”, tha Ismaili.

Ministrat si dhe mbi 80 zëvendësministrat e Qeverisë Haradinaj do të vazhdojnë të marrin 70% të pagës nga buxheti i shtetit edhe gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit.