Ditë më parë, në njërin nga lokalet në Prishtinë u organizua një koktej lamtumirës. Kokteji ishte dedikuar për Ruud Vermeulen, dretorin e zyrës së Fondit monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili e përfundoi mandatin e tij në këtë post.
Mirëpo me përfundimin e mandatit, vendin e Ruud Vermuelen nuk do ta zë askush pas tij, pasi bashkë me mandatin e tij do të mbyllet edhe vetë zyra e FMN-së në Kosovë, raporton EkonomiaSot.
Këtë e ka konfirmuar edhe vetë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, por i cili është shprehur optimist se kjo nuk do të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe FMN-së.
Ai në një intervistë për EkonomiaSot ka thënë se përfundimi i mandatit të drejtorit të FMN-së, nuk do të ndikojë në asnjë mënyrë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe FMN-së
“I gjithë rajoni, përfshirë edhe Kosovën do të monitorohet nga një përfaqësues i FMN-së me seli në Vienë, i cili do të sigurojë vazhdimësinë e bashkëpunimit ndërmjet FMN-së dhe vendeve të rajonit. Ne jemi të sigurt që bashkëpunimi i shkëlqyeshëm që kemi pasur vetëm se do të rritet dhe ne do të jemi të përkushtuar që t’a avansojmë edhe më tutje raportin që kemi pasur”.
Redaksia ka provuar të marrë një përgjigje nga zyra e FMN-së në Kosovë lidhur me këtë çështje, por që këta të fundit kanë qenë të paqasshëm rreth asaj se pse ka ndodhur tërheqja e këtij misioni nga Kosova.
Përfaqësues nga misioni i Fondit Monetar në Kosovë kanë qenë të zëshëm vazhdimisht sa i përket disciplinës fiskale. Ata gjithashtu kanë kritikuar rritjen e numrit të veteranëve nga ana e Qeverisë së Kosovës pasi sipas tyre, kjo ka ndikuar në stabilitetin makro-fiskal të vendit.
Mbetet të shihet se si do të ndikojë largimi i zyrës rezidente nga Kosova në aspektin e disciplinës financiare. /EkonomiaSot/