Vonesa e konstituimit të Qeverisë së re dhe Kuvendit, mund të shtyjë edhe votimin e Buxhetit të Kosovës.
Por, ministri në detyrë i Financave, Bedri Hamza, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se kanë planin se si të veprohet në një situatë të tillë. Megjithatë, beson që zgjedhjet do të mbahen brenda afatit ligjor, në mënyrë që të konstituohen institucionet e reja.
“Unë dua të besoj që zgjedhjet do të ndodhin në një afat edhe ligjor dhe kushtetues optimal dhe do të kemi një konstituim të institucioneve pas zgjedhjeve dhe buxheti të aprovohet brenda vitit aktual me qëllim që viti i ardhshëm të fillojë me buxhet të ri të aprovuar këtë vit. Nëse për çfarëdo arsye nuk do të arrihet buxheti që të aprovohet në vitin aktual ka mundësi që dy muajt e parë të vitit të ardhshëm të shkohet me 1/12, ndërsa për një muaj shtesë kërkohet vendim i Kuvendit që të zgjatet shfrytëzimi i buxhetit me 1/12 dhe pastaj të ketë buxhet të ri. Besoj që do të krijohen kushtet dhe rrethanat që buxheti të aprovohet në vitin aktual”, tha ai.
Hamza thotë se për rreth dy vjet sa udhëhoqi me këtë ministri arritën të krijojnë një stabilitet financiar. Thotë se nuk pati asnjë vonesë për linja të ndryshme buxhetore.
“Nuk ka pasur vonesa në pagesën e pagave, nuk ka pasur vonesa në pagesën e pensioneve dhe nuk ka pasur asnjë arsye të vetme për asnjë organizatë buxhetore, as në nivel lokal dhe as në nivel qendror që të kenë vonesa në pagesën e obligimeve ndaj kontraktorëve sepse mjetet i kanë pasur në dispozicion. Likuiditeti i shtetit ka ardhur si rezultat i rritjes së të hyrave, kemi performancë të mirë të të hyrave dhe unë jam optimist që ky trend të vazhdon në pjesën e mbetur të vitit”, tha ai.
Shefi i “kuletës së shtetit”, thotë se gjatë kësaj periudhe përmirësuan indikatorët makroekonomikë, rritën buxhetin për rreth 700 milionë euro, por u shënua edhe një rritje e dukshme ekonomike.
“Kemi përmirësim të indikatorëve makroekonomikë. Rritja ekonomike është më e lartë se që ka qenë në kohën kur unë kam ardhur. Vazhdon me qenë mbi 4 për qind, për vitin 2017 mbi bazën e të dhënave zyrtare të cilat i publikon Agjencioni i Statistikave të Kosovës ka qenë 4.2 për qind, që ka qenë më e madhe sa unë kam ardhur ministër. Vlerësimet janë për vitin 2018 që duhet të jetë 4.3 për qind. Megjithatë presin Agjencionin e Statistikave që të del me të dhënat zyrtare kah shtatori ose tetori. Trendët janë premtuese nëse ndodhen zhvillime që janë të parapa brenda buxhetit”, tha ai.
“Kemi rritje të Buxhetit të Kosovës, që është rritje signifikante nga rreth 1.7 miliardë që ka qenë i ekzekutuar buxheti, jo i planifikuar në vitin 2017, këtë vit është i planifikuar mbi 2.4 miliardë që është një rritje thuajse për 700 miliardë brenda kësaj periudhe kohore, është një rritje jashtëzakonisht domethënëse dhe kjo jo si rezultat i rritjes së borxhit publik sepse borxhin publik kemi me arrit ta mbajmë nën kontroll dhe aktualisht borxhi publik sillet rreth 17 ose 18 për qind e bruto produktit vendor”, tha ai.
Hamza thotë se edhe sa i përket bilancit bankar janë brenda rregullës fiskale. Madje shton se kanë në dispozicion para të gatshme rreth 9 për qind të BPV-së.
“Bilanci bankar presim që të jetë brenda rregullës fiskale, më i mirë se i planifikuar, presim që diku të sillet rreth 1 për qind e deficitit primar dhe bilanci bankar. Kemi rritje të parasë së gatshme, paraja në dispozicion për t’u shpenzuar është diku rreth 9 për qind e Bruto Produktit Vendor, ndërsa ne e dimë që kërkohet diku të jetë rreth 4.5 për qind e produktit vendor.”, thotë ai.
I pari i MF-së pret që gjysmën e dytë të këtij viti të ketë ngritje të realizimit të projekteve kapitale, për çka inkurajon organizatat buxhetore të shfrytëzojnë mjetet në dispozicion.
“Mund të jetë që kjo pjesë e vitit të ketë një ngritje apo dinamizmi të ekzekutimit të buxhetit. Të gjitha organizatat buxhetore i kanë mjetet në dispozicion për shpenzim dhe unë i inkurajojë edhe kësaj radhe si shumë hera tjera që ata t’i respektojnë procedurat dhe transparencën, por ta dinamizojnë dhe ta rrisin punën dhe kryesisht te projektet kapitale”, tha ai.