Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, e ka anuluar vendimin e ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për pastrimin e rezervuarve të naftës, shkruan Gazeta Insajderi.
Ministri i kësaj ministrie, Endrit Shala, kishte bërë Udhëzimin Administrativ që të bëhet pastrimi i rezervuarve çdo 3 vite. Kjo ishte kundërshtuar ashpër nga naftarët dhe kompanitë që merren me tregtinë e naftës.
Zyra e Kryeministrit ka thënë se bazuar në nenin 5 të paragrafit 3, Ligji për Tregtinë me Naftë dhe Derivate të Naftës në Kosovë, nuk e parasheh detyrimin e kompanive për pastrimin e rezervuarve të karburantëve të lëngta të naftës apo mirëmbajtjen e tyre.
Naftarët kishin mbajtur konferencë për medie lidhur me Udhëzimin Administrativ që do i detyronte ata ta kryenin pastrimin e rezervuarëve.
“Pastrimi i rezervarëve nuk i shkon në favor qytetarëve vetëm në dëm, sepse ky pastrim i rezervarëve shkon deri në 700 euro”, ishte thënë në konferencë.
E Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, kishte thënë se pastrimi i rezervarëve do të bëhet për herë të parë në Kosovë.
Sipas tij, për 20 vite, Ministria ka pranuar ankesa për cilësinë e naftës por që asnjëherë nuk i kanë obliguar kompanitë që t’i pastrojnë rezervarët ku i mbajnë këto derivate.