Ish-Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës Daut Haradinaj, ka komentuar aktualitetin politik e institucional. Ai zgjedhjet e 6 tetorit i ka cilësuar si referendum për Autostadrën e Dukagjinit e cila ka pasur polemika të shumta.
Daut Haradinaj ka thënë se AAK beson në vetëdijen qytetare të elektoratit dhe se qytetari i Kosovës tashmë i ka të qarta vijat se nga duhet të shkoi Kosova në të gjtiha proceset të cilat e presin. Duke folur për Autostradën e dukagjinit dhe debatin rreth saj, Haradinaj ka rikonfirmuar qëndrimin e palëkundur të subjektit të tij, se Autostrada do të bëhet dhe nuk ka kush që e ndalon një projekt i cili është në shërbim të zhvillimit të vendit. Ai ka vlerësuar se zgjedhjet e 6 tetorit janë një lloj referendumi edhe për Autostradën.
“Peja dhe Dukagjini duhet ta kuptojnë që me votë do të vendosin se a duhet te ketë Dukagjini Autostradë, a duhet të ketë ndarje? Ne besojmë fuqishëm në qytetarët e Pejës të cilët masivisht e kanë përjetuar në lëkuren e tyre tendencën për ndarje të qytetit dhe asnjëherë nuk besoj që do ta humbin këtë rast.”
Më tej Haradinaj ka folur edhe për nominimet e partive politike për mandatarin për Kryeministër. I pyetur se kush do të jetë kryeministër i ardhshëm i vendit në konkurrencën Vjosa apo Ramushi, ish-deputeti Haradinaj ka dhënë këtë shpjegim.
“Mendoj se marionetat nuk mundë ta ndalin sulmin e Serbisë mbi Kosovën. Heqja e taksës,me automatizem është hapje e temës së copëtimit të Kosovës. Me gjithë respektin që kam për Vjosen, duhet një njeri i fortë, që mundet ta ndaloi agresionin serb kundër Kosovës.”- thotë Haradinaj.
Sipas Haradinajt fitues i zgjedhjeve do të jetë koalicioni AAK-PSD për çfarë thotë se këtij koalicioni do ti bashkohen edhe prurje të reja të cilat do ta forcojnë fitoren e 6 tetorit.
“Ne edhe sot pa partnerët e koalicionit jemi afër të parit, ndërsa me PSD-në jemi plus 3 deputet. Presim edhe ardhje të reja serioza, që do ta rrisin diferencën. Nuk ka rrugë tjetër pos fitores. Strukturat tona janë vizituar dhe janë në vlugun e punës. Aleanca si çdo herë udhëton nga baza, respekton bazën dhe është e kujdesshme ndaj njeriut, si vlerë.”-përfundoi Haradinaj./Njeshi/