Inspektorati komunal mbyll fabrikën “Djathë Rugove”

Inspektorati Komunal i Pejës ia ka vënë drynin fabrikës së djathit në Drelaj të Rugovës, për shkak të derdhjes në Lumëbardhë të mbetjeve të lëngshme nga prodhimi i djathit.

Drejtori i Inspektoratit komunal, Leotrim Murtezaj, ka konfirmuar për “Kohën Ditore” se nuk ka pasur alternativë tjetër përveçqë ta mbyllë fabrikën, pas asaj që po ndodh nga kjo fabrikë.

“Ne ia kemi vendosë shiritin dhe bllombën fabrikës. Këtë e kemi bërë pasi jam informuar zyrtarisht të shtunën mbrëma. Të dielën i kam dërguar tre inspektorë dhe e kanë mbyllë fabrikën. Inspektorët, përveçqë e kanë mbyllë punën e fabrikës, asaj i kanë shqiptuar edhe 1 mijë e 500 euro gjobë për ndotje të mjedisit”, thotë Murtezaj.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, Inspektorati nuk ka mundur të lejojë një gjendje të tillë që është krijuar prej interesave, duke injoruar dëmin që po u bëhet mjedisit, lumit dhe faunës në lumë.

“Deri këtë herë, unë nuk kam pasë as asnjëherë informacion që fabrika po e derdh hirrën në Lumbardhë. Kësaj here e kam pasë informacionin dhe kemi vepruar si Inspektorat. Ne nuk mund të lejojmë që dikush për interesa të veta ta shkatërrojë natyrën. Prandaj, fabrika do të mbetet e mbyllur derisa i krijon kushtet që kërkohen me ligj dhe ta bëjë zgjidhjen e këtij problemi”, thotë Myrtezaj.

Drejtori Myrtezaj tregon se fabrika duhet të ndërtojë impiantin për trajtimin e hirrës dhe ato të pranohen nga ekspertët.