Kontrata me “PayKos”: Kush është biznesmeni nga Maqedonia me fitime milionëshe në Telekom?

Buletini Ekonomik ka gjetur se kompania misterioze “PayKos” që kishte fituar kontratë milionëshe në Telekom, ka mbajtur të fshehur partneritetin me një kompani të fuqishme në Kosovë. Bëhet fjalë për kompaninë e arkave fiskale “Gekos”, e cila është në pronësi të Enver Maliqit, biznesmenit shqiptar nga Shkupi. 

Agon Sinanaj

Telekomi i Kosovës (TK) nënshkroi në vitin 2015 kontratë milionëshe me kompaninë “PayKos”, vetëm katër muaj pasi kjo e fundit ishte regjistruar si biznes në ARBK. Kontrata që kishte si synim distribuimin dhe shitjen e mbushjeve Pre Paid, sipas dokumenteve të siguruara nga Buletini Ekonomik, i mundësoi kësaj kompanie një fitim prej minimum rreth 10 milionë euro për katër vite.

Reklama e sponzorizuar

Por shumëçka rreth kompanisë dhe aktivitetit të saj mbetet mister, nëse shikohen dokumentet zyrtare. Gjithçka rreth saj është e paqasshme për publikun. Madje kompania nuk ka sa faqe në internet, përveç një adrese se ku ndodhet me zyre dhe numrin e telefonit. Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) si pronar me 100 për qind të aksioneve figuron emri i Armend Zeqirajt.

Buletini Ekonomik ka gjetur se kompania misterioze “PayKos”gjatë kohës së zbatimit të kontratës me Telekomin ka mbajtur të fshehur partneritetin me një kompani të fuqishme në Kosovë. Bëhet fjalë për kompaninë e arkave fiskale “Gekos”, e cila është në pronësi të Enver Maliqit, biznesmenit shqiptar nga Shkupi. 

Maliqi njëkohësisht është edhe nënkryetar i Shkupit dhe llogaritet prej njerëzve të afërt me Ali Ahmetin, kryetarin e BDI-së.

Firma e tij “Gekos”, ka përfituar në Kosovë miliona euro nga projekti i arkave fiskale, i cili është përcjellë më shumë dyshime nga komuniteti i biznesit. “Gekos” është e shtrirë në Kosovë edhe në shumë biznese tjera, përfshirë këtu edhe partneritetin me “PayKos”.

Nga ky partneritet, “Gekos” dhe “PayKos” realizuan fitime milionëshe falë kontratës për distribuimin e mbushjeve të Vala-s, të arritur në vitin 2015-të, në kohën kur kryeshef ishte Agron Mustafa.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Buletini Ekonomik, ku përfshihet vetë kontrata e nënshkruar nga ish-kryeshefi Agron Mustafa, rreth 10 milionë euro është fitimi i kompanisë “PayKos”, për katër vite, nëse llogariten të hyrat nga shitjet që pati kompania, provizioni prej 9.7 për qind, dhe zbritjet e bonuset që i shkonin “Pay-Kos”.

“Gekos” pranon partneritetin me “PayKos”

Këtë partneritet e kanë konfirmuar edhe zyrtarë nga kompania “Gekos”.

Në një përgjigje përmes emailit”, thuhet se “Gekos” në partneritet me “PayKos” ka kryer distribuimin fizik të kartelave të Valës për tregun e Kosovës.

“Kompania jonë ka bërë distribuimin e kartelave gërvishtëse për Ipkon për shumë vite, me të cilën kompani kemi pas bashkëpunim edhe në tregun e Maqedonisë pasi që ata janë prezent edhe atje. Në ndërkohë kemi vazhdu bashkëpunimin me kompaninë Paykos duke u bërë një ndër kompanitë që bën distribuimin fizik të Valës për ta në tregun e Kosovës”, thuhet në përgjigjet zyrtare nga “Gekos”

“Gekos” eshte kompani që merret me distribuimin e produkteve të ndryshme në tregun e Kosovës, që prej vitit 2001 kur edhe është regjistruar si kompani.

Në Kosovë “Gekos” mban përfaqësinë e disa prej brendeve të njohura botërore.

“Jemi përfaqësues të brendeve të njohura botërore sic janë Diageo ku hyjnë brendet si Smirnoff, Johnny Ëalker, Gordons Gin dhe tjera…si dhe në fushën e duhanit me përfaqësinë e Imperial Tobacco me brendet e njohura si Davidoff, Ëest, Galuoises etj”, thotë emaili nga “Gekos”.

Kontrata me PayKos dhe ‘theqafja’ e Telekomit

Në një njoftim për media nga PTK në kohën kur ishte nënshkruar kontrata PTK-PayKos, thuhej se qëllimi kryesor i kësaj marrëveshje është që konsumatorët e kompanisë, brenda një periudhe të shkurtër, të furnizohen me produktet e saj, kartela, mbushje elektronike, internet 3G dhe 4G, në rreth 2 mijë pika të reja të shitjes në të gjithë Kosovën. Rrjedhimisht nga kjo parashihej që PTK të arrinte pozitë me të mirë në tregun e telekomunikimeve.

Megjithatë marrëveshja me “PayKos” nuk i dha rezultatet e pritura. Përkundrazi “theqafja” në këtë ndërmarrje filloi qysh në vitin 2015, bash në kohën e nënshkrimit të kësaj kontrate.

Në kohën kur Agron Mustafa erdhi në krye të Telekomit të Kosovës (TK), më 22 shkurt 2015, ndërmarrja sapo e kishte mbyllur vitin paraprak me një fitim prej 16.5 milionë eurosh.

Ndonëse kjo ishte përgjysmë më pak se viti 2013 kur fitimi ishte 36.1 milionë euro, me zgjedhjen e Mustafës në krye të Telekomit pritej që të ndalej ky trend negativ i performancës financiare. Por, përveçqë nuk u ndal trendi negativ, ndërmarrja këta tre vjetet e fundit shënoi rënien më të madhe ndër vite.

Sipas raporteve të performancës financiare për Telekomin, qysh në vitin e parë kur Mustafa erdhi në pozitën e kryeshefit ndërmarrja e mbylli vitin me një humbje prej 7.9 milionë eurosh. Bëhet fjalë për vitin 2015, përderisa vetëm një vit më herët, më 2014-n, Telekomi e kishte mbyllur vitin  me një fitim prej 16.5 milionë eurosh. Nga ky vit e deri më tani, Telekomi i mbylli të gjitha vitet pasuese me humbje. /Buletini Ekonomik/