Në rast të shpërndarjes së Kuvendit, puna hetimore e Komisionit Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala do të ndërpritet.
E për të diskutuar për këtë qështje ky Komision është mbledhur sot.
Kryetari i këtij Komisioni, Visar Ymeri ka propozuar që punën e Komisionit t’ia bartë atij pasues.
“Nese ne nuk mund ta perfundojmë mandatin atëherë mundet që punën që e kemi bërë t’ia lëmë Komisionit që do të formohet në mandatin e ardhshëm”, ka thënë ai.
Ymeri ka thënë gjithashtu se kohëzgjatja prej 6 muajve është e shkurtë për hetim.
“E kemi pa gjithashtu që mandati 6 mujor është shumë i shkurt për të parë atë cfarë ka ndodhur më të vërtetë brenda një ndërmarrjeje”, ka shtuar ai.
Ndërsa anëtari i komisionit, Bekim Haxhiu, ka thënë se Komisioni ka intervistuar vetëm 2% të personave që mbajnë përgjegjesi.
“Kemi bërë një punë të vlerësuar dhe profesionale, koha prej 6 muajve për një hetim kaq të madh do të ishte e pamjaftueshme. Ne kemi intervistuar vetëm 2% të Telekomit dhe ende nuk kemi intervistuar akterët kryesorë e as t’i ballafaqojmë sepse ka pasë shumë deklarime kundërthënëse”, ka thënë ai.
Haxhiu ka shtuar se puna e Komisionit duhet të vazhdoj edhe në mandatin tjetër.
“Nëse edhe mandatin e ardhshëm na e beson populli postin e deputetit atëherë vazhdimi i hetimit do të jetë gjithsesi puna jonë e parë ose legjiatura e ardhshme të vazhdoj punën”, ka shtuar ai.
Përfaqësuesi i VV-së, Liburn Ali ka kërkuar që Komisioni të bëjë një raport të punës.
“Do të duhet të kemi një raport që të votohet në Kuvend, unë propozoj që raporti të formohet me punën që kemi bërë deri tani. Komisioni i ardhshëm do të ketë një raport të punës tonë që do të u ndihmoj”, ka thënë Aliu.
E Milaim Zeka ka thënë se propozimi i tij ka qenë vazhdimi që të hetohen edhe Institucionet tjera.
“ E kam ditë që hetimi i Telekomit dhe Postës do të ishte i pamundur brenda 6 muajve duke parë keqpërdorimet, unë kam pas dëshirë që hetimet të vazhdojnë edhe për KEK-un dhe Radio Televizionin e Kosovës. Më pas kishim mund që të bëjmë hetim edhe për Ministritë dhe Qeverinë”, ka thënë ai.
Zeka ka thënë se do të ngrisë kallëzim penal ndaj disa personave pas të gjeturave të Komisionit.
“Besoj që ne si deputetë dhe qytetarë mund të bëjmë kallëzim penal ndaj disa individëve edhe të bordit edhe drejtorit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës. Vetëm një drejtor i ka bërë 32 udhëtime zyrtare brenda një dite”, ka shtuar ai.
E anëtari i këtij Komisioni, përfaqësues i AAK-së, Shkumbin Demaliaj ka kërkuar që puna të mos mbyllet deri në datën kur pritet të shpërndahet Kuvendi.
“U jam mirënjohës për punën që keni bërë deri tani, kisha propozuar që të mos mbyllet asgjë deri me datën 22”, ka thënë ai.
Ndërsa Armend Zemaj ka thënë se puna e Komisionit nuk duhet të ndalet.
“I gjithë dokumentacioni tani është publik, ne nuk e kemi të vlerëusar raportin ashtu siq kemi dëshiruar por mund të inicohen procedurat hetimore, mund të miratohet raporti që do t’iu shërbejë prokurorisë dhe raporti për punën tonë. Po propozoj që të mos ndalet puna”, ka thënë ai.
Edhe depuetetja e VV-së, anëtare e këtij Komsioni, Albulena Haxhiu ka kërkuar që puna të mos ndalet por të krijohet vetëm një draft.
“Telekomi për herë të parë ka bërë 3 kallëzime penale për kontratën me Z-mobile dhe për herë të parë Prokuroria ka nisur hetimet për këtë kontratë. Propozoj që të formohet një draft dhe të ua japim edhe prokurorisë”, ka thënë Haxhiu.
Ndryshe, mbledhja për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës është caktuar për 22 gusht.
Kjo datë është caktuar pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit e të vetmit që kanë dalë kundër kanë qenë deputetët e VV-së, të cilët kanë kërkuar që kjo datë të jetë më afër./arbresh.info/