Mimozë Veliu ka përfunduar studimet në Angli, përmes bursës Skema e profesionistëve të rinj – Young Cell Scheme – të financuar nga Bashkimi Evropian.
Pasi për disa muaj punoi në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, më 1 qershor ishte ftuar që ta fillonte punën në Ministrinë e Integrimit Evropian, ashtu siç është obligim i Qeverisë së Kosovës për t’i punësuar këta bursistë në një periudhë 3-vjeçare, raporton KTV.
Por, më 3 qershor të këtij viti, në ditën e parë të punës qëndroi vetëm 4 orë, ngase thotë se, pa dhënë ndonjë arsye, sekretari i kësaj ministrie nuk ia nënshkroi kontratën.
Konkursi që është shpallur më 23 korrik nga Ministria e Integrimit Evropian për pozitën ku ajo është ftuar të punonte, thotë se u bë për të sistemuar njerëz politikë.
Mimozë Veliu kërkon që të anulohet ky konkurs i jashtëm i Ministrisë së Integrimit.
Për këtë padrejtësi, thotë se e ka njoftuar edhe Zyrën e BE-së në Prishtinë.
Pikërisht për këtë rast, Zyra e BE-së, përmes një letre, i ishte drejtuar ministres në largim, Dhurata Hoxha, duke e kritikuar ashpër për mossistemimin e bursistëve.
Moris Hyseni nga Skema e profesionistëve të rinj, thotë se paralajmërimi i zgjedhjeve të parakohshme ka shtuar apetitet për punësimin e militantëve partiakë.
KTV-ja ka raportuar të mërkurën se si Ministria e Integrimit që udhëhiqet nga ministrja e PDK-së në largim, Dhurata Hoxha, ka shpallur konkurs për pesë pozita në këtë ministri.
Stafi civil i Ministrisë së Integrimit e quan të kundërligjshëm këtë konkurs. Madje, ka paralajmëruar se do të hyjë në grevë, për t’i kundërshtuar këto veprime. /Koha.net