Telekomi i jep tender milionësh biznesmenit që e falimentoi Insig-un

Me 17 maj të këtij viti,  kompania e sigurimeve “Eurosig” ka fituar kontratë milionëshe në Telekomin e Kosovës, në kohën kur e njëjta po mbahej nën administrim rigoroz të BQK-së. “Eurosig” ka pronar Kadri Morinajn, biznesmenin nga Shqipëria që e kishte nën pronësi edhe kompaninë e falimentuar “Insig”.

Agon Sinanaj

Pa u bërë as një muaj nga falimentimi i kompanisë së sigurimeve “Insig”, pronari i saj Kadri Morinaj, ka fituar një kontratë milionëshe në Telekomin e Kosovës. Tash me kompaninë “Eurosig” e cila po ashtu është e pranishme në tregun e sigurimeve në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Kontrata për ofrimin e sigurimit shëndetësor për punëtorët e Telekomit në vlerë 2.3 milionë euro, biznesmenit nga Shqipëria iu dha ani pse i njëjti së fundi e falimentoi një kompani të sigurimeve në Kosovë.

Veç Insigut që tashmë i është revokuar licenca, Morina në Kosovë është i pranishëm edhe me kompaninë e sigurimeve “Eurosig”, e cila po ashtu është në gjendje jo të mirë financiare.

Në momentin kur iu dha kontrata nga Telekomi, me 17 maj të këtij viti, “Eurosig” gjendej nën administrim rigoroz të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Administrimi i saj nga BQK vazhdon edhe sot e kësaj ditë.

Kontrata milionëshe “Eurosig”-ut iu dha me procedura të shpejtuara.

Në dosjen e tenderit thuhet se “kontrata ka të bëjë me ofrimin e shërbimit të sigurimit shëndetësor nga një kompani e sigurimeve shëndetësore për stafin e Telekomit të Kosovës dhe familjarëve të tyre”.

“Telekomi i Kosovës dëshiron të ofroj sigurim shëndetësor për stafin dhe familjarët e tyre me qëllim të rritjes së sigurisë dhe performancës së tyre në vendin e punës. Qëllimi i Autoritetit Kontraktues është të lidhë një kontratë publike kornizë me një operator ekonomik”, thuhet në dosjen e këtij tenderi që titullohet “Benefite për sigurim shëndetësor”.

“Eurosig” nën administrimin e BQK-së

Kompania “Eurosig” për momentin është nën administrim rigoroz të BQK-së, për shkak të gjendjes jo të mirë financiare. Kështu ishte edhe kur e fitoi kontratën me Telekomin.

Një kompani e sigurimeve është në gjendje jo të mirë financiare atëherë kur ka vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë paguese – Solvencës.

Në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, zyrtarë të BQK-së, patën konfirmuar muajin e kaluar se “Eurosig” është nën administrimin e BQK-së, por pa u  lëshuar në detaje.

Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, madje pati paralajmëruar vendim të bordit edhe për ketë kompani.

“Për vendimet e ardhshme të Bordit Ekzekutiv të BQK-së në raport me siguruesin “Eurosig” Sh.A. do të njoftoheni me kohë”, ka thënë ai.

Administrimi i një kompanie nga BQK, siç është rasti me “Eurosig”, parashihet me Ligjin nr. 05/L-045 për Sigurimet. Para likuidimit, BQK e merr nën administrim kompaninë që ka probleme, por nëse gjendja nuk arrin të sanohet, atëherë kompania shkon në likuidim dhe mbyllje totale. Kjo ka ndodhur edhe me kompaninë e sigurimeve INSIG.  

Cila është lidhja mes “Eurosig” dhe “Insig”?

Sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), “Eurosig” dega në Kosovë del se është nën pronësinë e “Eurosig” sh.a, e cila është kompania amë në Shqipëri me pronar Kadri Morinaj.

“Eurosig” në vitin 2016 i kishte blerë 100 për qind të aksionëve të “Insig”, e cila ishte po ashtu e pranishme në Kosovë derisa iu revokua licenca.

“Gjatë vitit 2016, kompania e sigurimeve “Insig“ me seli në Tiranë ka shitur 100 për qind të aksioneve të zotëruara nga shteti, duke ndryshuar pronësinë e aksioneve të cilat tani zotërohen ne masën 100 për qind nga shoqëria e sigurimeve “Eurosig “ sh.a me seli në Tiranë, me pronar Kadri Morinaj”, thuhet në ueb faqen zyrtare të “Eurosig”. /Buletini Ekonomik/