Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit pritet të kushtojnë afër 6 milionë euro.
Kështu ka bërë të ditur sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kryetari i Këshillit për Buxhet dhe Financa në KQZ, Ilir Gashi tha se saktësisht për zgjedhje është planifikuar të shpenzohet shuma prej 5 milionë 689 mijë euro.
“Ne si Këshill sot kemi trajtuar buxhetin që na duhet për zgjedhje të jashtëzakonshme, buxhetin e kemi miratuar dhe kalon mbi 5 milionë ose totali 5 milionë 689 mijë euro”, ka thënë ai.
Gashi ka shtuar gjithashtu se këtë vit do të rriten pagesat për komisionar dhe anëtarë të vendvotimeve.
“Këtu hynë të gjitha gjërat që duhet për realizim të gjithë procesin zgjedhor. Duket një rritje e kërkesës së buxhetit për fatin se kësaj radhe është konsideruar e nevojshëm rritja e pagesave për trajner, kryesues dhe anëtarë, këshilltarë të vendvotimeve sepse është menduar që të ndiqet trendi për rritjen e pagave që ka ndodhë në Republikën e Kosovës”, ka shtuar ai.
Ai gjithashtu u kërkoi Institucioneve të miratojnë menjëherë buxhetin.
“Kërkojmë nga Institucionet ta kenë parasysh mos vonesën për ndarje të buxhetit pasi kemi zgjedhje të jashtëzakonshme dhe mund të na pengoj në kryerjen e punëve tona”, ka thënë ai. /Arbresh.info/