Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka një borxh prej 385.36 euro në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.
Ndonëse krenohet për shlyerjen e borxheve të Pallatit të Rinisë, kryetari Ahmeti vetë ka borxh të pashlyer në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.
Koha.net ka siguruar një kopje të faturës nga KRU “Prishtina” ku në një pronë të kryetarit Shpend Ahmeti, në rrugën “Perandori Justinian”, i figurojnë 385.36 euro.
Portali gjithashtu ka mësuar se Ahmetit i janë dërguar edhe 3 vërejtje, ndonëse, borxhi figuron ende.
Koha.net këtë e ka konfirmuar edhe nga kompania e Ujësjellësit.
“Ajo çka ne mund t’u konfirmojmë juve është se, kodi i konsumatorit 26395 ka një borxh prej 385.36 euro. Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’, sh.a. mision e ka ofrimin e shërbimeve cilësore për ujësjellës dhe kanalizim për të gjithë konsumatorët e saj, pa dallim. Secili konsumator ka një kod të veçantë në bazë të të cilit e faturojmë”, thuhet në përgjigjen zyrtare nga KRU “Prishtina”.
Në faturë, janë të mbledhura shpenzimet dhe pagesat që janë bërë në intervalin prej 31.12.2013 deri më 31.07.2019.
Pagesat e fundit që është bërë për këtë njehsor të ujit është ajo e dhjetorit të vitit 2016 ku janë paguar 100 euro.
Koha.net e ka kontaktuar edhe kryetarin Shpend Ahmeti porse ai ka thënë se aktualisht nuk jeton në atë pronë në këtë lagje dhe se do ta vërtetojë nëse ky borxh i ka mbetur nga periudhat e mëparshme.
“Unë nuk kam pronë në ‘Perandori Justinian’. Prej 2011 jetoj në Lagjen Nic ku edhe e kam kontratën me Ujësjellës dhe pagesat. Do ta shoh mos ka mbetur diçka e regjistruar më herët dhe ka vazhduar në atë emër”, ka qenë përgjigja e Ahmetit.
Nga Ahmeti më pas janë kërkuar edhe sqarime shtesë për të mësuar nëse e ka verifikuar këtë borxh, por ai s’ka kthyer më përgjigje.
Kujtojmë se pak kohë më parë KRUP ka njoftuar se borxhi ndaj shërbimeve të ujësjellësit është mbi 40 milionë euro, ku me këtë rast ka kërkuar nga konsumatorët t’i paguajnë me rregull detyrimet ndaj tyre, që të rritet edhe mundësia që këto pagesa të shfrytëzohen për investime kapitale dhe infrastrukturë të rrjetit të ujësjellësit.