“Kurrizi” në Prishtinë ende i papërfunduar

Platoja e Kurrizit në Lagjen Dardania në kryeqytet, i njohur si “Kurrizi”, ka mbetur projekt i papërfunduar për shkak të mospajtimeve ndërmjet kompanisë kontraktuese dhe Komunës së Prishtinës.

Pronari i Kompanisë “Rexha”, thotë se është punuar aq sa ka pasur buxhet, ndërkaq zyrtarë të Komunës së Prishtinës thonë se kontrata është shkëputur për shkak të mosmarrëveshjeve. Ata thonë se punimet do të vazhdojnë dhe do të finalizohen në vitin 2020.

Ndonëse ishte paraparë të përfundojë në vitin 2015, projekti i ndërtimit të Platosë së Kurrizit në Lagjen Dardania në Prishtinë, ende nuk ka përfunduar. Pronari i kompanisë së kontraktuar, Samir Rexha, tha se ka ende për t’u bërë në Platonë e Kurrizit, por, siç thotë ai, kompania e tyre i ka kryer punët për aq sa është tenderuar.

Reklama e sponzorizuar

“Është dashur të punohet ende me të thënë të drejtën, por ky projekt është kryer dhe duhet vazhduar më projekt tjetër. Po punimet kanë mbetur në gjysmë, sepse parat janë harxhuar ”, tha pronari i Kompanisë “Rexha”.

Por, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë për Radio Kosovën se përfundimisht e kanë shkëputur kontratën me operatorin ekonomik për ndërtimin e platosë për shkak të mosmarrëveshjeve të shumta.

“Kompania ka pretenduar se ka kryer punë edhe jashtë kontratës, por është bërë një vlerësim financiar i punëve që janë kry dhe tash do të vazhdojmë me tenderim tjetër për të përfunduar punët që kanë mbetur”, ka thënë Ahmeti.

Sa i përket dëmtimeve, kryetari Ahmeti ka thënë se për çdo ndërtim natyrisht që ka garancion.

“Punët të cilat janë përfunduar e kanë garancionin e vet, pra, nuk është që nuk do të merremi në qoftë se diçka është dëmtuar, por nuk kemi mundur të vazhdojmë të tentojmë me bindë kompaninë e ata duke tentuar të na bindin neve se faji kujt është, për atë edhe kemi pastruar llogarinë më ta dhe vazhdojmë tash me tenderimin e pjesës së mbetur.”

Ahmeti tha se do të vazhdohet të punohet në Platonë e Kurrizit, i cili shtoi se do të bëhen edhe disa përmirësime, ndërsa për tunelin e Kurrizit ai tha se janë duke përgatitur një projekt që do ta rigjenerojë atë. Ai tha se në vitin 2020 do të përfundojë gjithçka dhe se Dardania do të jetë e kompletuar. Kujtojmë se vlera e këtij projekti është 997 mijë euro.