Potenciali real i Kosovës për energji të ripërtëritshme nuk është shpresëdhënës

Sipas ekspertëve, Kosova me një territor të vogël dhe me mungesë të theksueshme të sipërfaqeve të tokave bujqësore, nuk ofron potencial serioz për prodhim të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, as në aspektin e arsyeshmërisë financiare, apo në prodhim serioz vjetor të energjisë elektrike.

Mehmet GJATA

Në pesë-gjashtë vitet e fundit, energjia nga burimet e ripërtëritshme është vendosur në qendër të politikave energjetike të Kosovës.

Strategjia e Energjisë 2022–2031 dhe dokumente të tjera zhvillimore parashohin një rritje të konsiderueshme të instalimit të kapaciteteve nga energjia diellore, ajo e erës dhe burimeve të tjera të gjelbra, me synimin që ato të marrin një rol gjithnjë e më të madh në furnizimin me energji elektrike dhe në transformimin e sektorit energjetik.

Strategjia e fundit parasheh se deri në vitin 2031, Kosova do të ketë 1600 MW kapacitete të instaluara vetëm nga energjia e ripërtëritshme, prej rreth 300 sosh sa janë aktualisht të instaluara.

Në vijim të kësaj, duke u bazuar në këtë parametër, strategjia parasheh se pas vitit 2031, në një farë mënyre, energjia e ripërtëritshme do ta “zëvendësojë” qymyrin për prodhimin e energjisë elektrike. Sipas strategjisë, njësitë ekzistuese të termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, pritet të funksionojnë vetëm si “rezerva strategjike”, pra sipas nevojës dhe kur ka rritje të konsumit dimrit. Nga 85% për qind sa është aktualisht shkalla e shfrytëzimit të termocentraleve të linjitit, sipas strategjisë, pas vitit 2031 termocentralet do të punojnë vetëm në 19 për qind të kohës. Pak a shumë, termocentralet do të mbeten si rezervë strategjike. Ndërsa, këtë ulje drastike të shfrytëzimit të termocentraleve, kjo strategji e bazon në rritjen e kapaciteteve instaluese nga energjia alternative.

Megjithatë, krahas këtyre objektivave ambicioze, strategjia nuk i kushton aspak vëmendje kufizimeve reale që lidhen me potencialin natyror dhe hapësinor të Kosovës. E njëjta strategji nuk e ka as edhe një rresht të vetëm lidhur me potencialin real që e ka Kosova për energji nga burimet e pastra.

Dhe kur flasim për energji nga burime të pastra janë disa faktorë që duhet të merren parasysh, veçanërisht kur përcaktohen objektivat afatgjata për këtë sektor. Madhësia e territorit të një vendi, disponueshmëria e tokës për projekte fotovoltaike, zonat e përshtatshme për energjinë nga era dhe potenciali i kufizuar hidroenergjetik, janë faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në mundësinë e realizimit të këtyre planeve.

Sa i përket Kosovës, këto kufizime nuk kanë qenë të panjohura. Raporte të institucioneve vendore dhe organizatave ndërkombëtare kanë identifikuar prej vitesh potencialin real të Kosovës për zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme. Dhe kur shikohet potenciali, në njërën anë, dhe objektivat e vendosura në strategjinë e fundit, në anën tjetër, del se këto objektiva duken shumë më ambicioze sesa potenciali real që ofron vendi.

IRENA: Kosova ka “kapacitete të kufizuara ujore”

Në diskursin publik, deri më tani për këtë çështje më shumë është folur rreth investimeve në kapacitete nga energjia e ripërtëritshme, ndërsa theksi është vënë kryesisht te mungesa e investimeve.

Por shumë pak, për të mos thënë fare, është diskutuar mbi potencialin real që e ka Kosova për të gjeneruar energji solare, energji nga era dhe nga uji.

Buletini Ekonomik ka analizuar disa raporte nga organizata ndërkombëtare që flasin për këtë potencial. Një nga këto raporte që merret si shumë kredibil, është ai me titull “Prodhimi i energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme me kosto konkurruese: Potenciali në Evropën Juglindore”, i hartuar nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë e Ripërtëritshme (IRENA) në vitin 2017.

Ky raport, duke u bazuar në kritere shkencore, ka matur potencialin e Kosovës për energji nga burime të pastra, duke theksuar edhe kufizimet e dukshme, sidomos për energji nga burimet ujore dhe solare.

“Kosova ka kapacitete të kufizuara ujore apo 494.8 MW (nga të cilat për gjenerim nën 10 MW kapaciteti i mundshëm është 144.8 MW; për gjenerim mbi 10 MW kapacitetet teorike janë 350 MW të cilat janë hidrocentrale fleksibile”, thuhet në raport.

Sipas IRENA-s, për shkak të kufizimeve ujore që ka, Kosova mund të ndërtojë kapacitete hidro deri në 494.8 MW.

Kapaciteti i instaluar te burimet e ripërtëritshme nuk nënkupton se aq do të jetë edhe energjia e prodhuar.

Kështu, sipas IRENA-s, nëse flasim për energji nga hidrocentralet, për të prodhuar në sistem deri në 10 MW, duhet kapacitet i instaluar 144.8 MW.  Ndërsa për gjenerim mbi 10 MW kapacitetet teorike janë 350 MW të cilat janë hidrocentrale fleksibile. Shto këtu edhe faktin që burimet nga energjia e ripërtëritshme kanë sezonalitet dhe nuk mund ta kesh gjithmonë as këtë sasi të energjisë, pasi këtu gjenerimi varet nga faktorë të jashtëm atmosferik.

Mundësi ‘modeste’ nga solaret, më mirë nga era

Për të prodhuar energji elektrike nga burimet e pastra, madhësia e territorit të një vendi është faktor kyç. Është standard shkencor se për të prodhuar 1 megavat energji elektrike nga burimet e ripërtëritshme, duhet 1 hektar tokë. Analizat e IRENA-s bazohen kryesisht në madhësinë e territorit, dhe sa prej atij territori janë male dhe sa është tokë bujqësore.

Sidomos territori është i nevojshëm kur flasim për energji nga era. Prodhimi i energjisë elektrike nga era mund të bëhet vetëm në vende të caktuara, ku era është e një fuqie të caktuar, sa për të prodhuar energji elektrike.

Madhësia e territorit është i rendësishëm edhe për ndërtimin e centraleve solare.

Për këtë arsye, raporti i IRENA-s, kapacitetin teorik për centrale solare në Kosovë e kufizon në gjithsej 581 MW si kapacitet i instaluar.

Sipas këtij raporti, mundësitë më të mira për prodhim të energjisë elektrike nga burime të pastra, Kosova i ka nga era, ku, sipas IRENA-s, mund të instalohen kapacitete nga 1672 deri në 2314 MW.

“Potencialet e BRE-ve të Kosovës që mund të ndërtohen vlerësohen si vijon: ka kapacitete të kufizuara ujore apo 494.8 MW (nga të cilat për gjenerim nën 10 MW kapaciteti i mundshëm është 144.8 MW; për gjenerim mbi 10 MW kapacitetet teorike janë 350 MW të cilat janë hidrocentrale fleksibile), kapaciteti teorik për centrale solare vlerësohet të jetë 581 MW, ndërsa ai i erës në brezin prej 1672-2314 MW”, thuhet në raportin e IRENA-s.

Ndërkohë, edhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë të BE-së ka vlerësuar, në bazë të një studimi, potencialin për energji te ripërtëritshme që ka Kosova. Studimi, për caqet në nivel të Komunitetit të Energjisë më 2019, ka vlerësuar se caqet obligative për Kosovën variojnë ndërmjet 34- 39% për energji nga burime të pastra.

Faktori i kapacitetit për BRE i ulët në Kosovë

Një aspekt me rëndësi te BRE-të është faktori i kapacitetit, apo sa energji mund të prodhohet varësisht prej kapacitetit të instaluar. Edhe këtu Kosova ka kufizime, për shkak të klimës mesatare që e ka.

Gazmend Kabashi, ekspert i energjisë, në një intervistë të mëhershme për Buletinin Ekonomik, kishte shpjeguar se “faktori i kapacitetit paraqet në të vërtetë fuqinë mesatare vjetore të centralit, i cili kur të shumëzohet me orët e një viti (8760h) e jep prodhimin vjetor.”

LEXO EDHE:

Momentumi

Sipas tij, termocentralet kanë një faktor të lartë të kapacitetit 0.8-0.9, pasi që lëndën primare (djegëse) e kanë gjithmonë në dispozicion. Por, ky faktor bie drastikisht kur flasim për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme.

“Te BRE-të solare dhe nga era, burimi primar është energjia kinetike e erës dhe niveli i rrezatimit diellor. Këto burime janë variabile dhe të varura nga gjendja klimatike. Aktualisht, faktori i kapacitetit për burimet e erës në Kosovë vlerësohet të jetë rreth 0.32, pra nëse kemi një park me erë me fuqi 100 MW, mund të konsiderohet që prodhimi vjetor i saj është sikur një gjenerator 32 MW të punonte gjatë tërë vitit. Në anën tjetër, te burimet solare faktori është i përgjysmuar dhe në Kosovë sillet në brezin 0.1-0.16, pra një park solar 100 MW prodhon njëjtë sikurse një central gjenerues 16 MW i cili punon pandërprerë gjatë tërë vitit”, vlerëson Kabashi.

Në vlerësim fillestar, duke u bazuar në fuqinë instaluese, një park solar 100 MW duket të jetë i madh, por sipas Kabashit “energjia është prodhim i fuqisë dhe kohës dhe prodhimi i energjisë elektrike nga kjo lloj teknologjie nuk është i lartë”

Kabashi ka folur edhe për potencialin maksimal të prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë nga këto burime. Sipas tij, nëse konsiderohet dekarbonizimi intensiv me 45% BRE që përmban 700 MW burime nga era, 600 MW burime solare dhe 156 MW hidrocentrale, prodhimi i tyre do të mbërrijë vlerën rreth 3300 MWh, përafërsisht sa prodhojnë sot dy njësitë e TC Kosova B.

Krasniqi: Kosova nuk ofron potencial serioz për prodhim të energjisë nga burimet e ripërtëritshme

Më pak shpresëdhënës rreth mundësisë së mbulimit të konsumit nga energjia elektrike prej burimeve të ripërtëritshme është treguar Lazër Krasniqi, ekspert i energjisë me reputacion në ish-Elektroekonominë e Kosovës.

Sipas Krasniqit, Kosova me një territor prej 10887 km² dhe mungesë të sipërfaqeve për bujqësi, nuk ofron potencial serioz për prodhim të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, as në aspektin e arsyeshmërisë financiare, apo në prodhim serioz vjetor të energjisë elektrike.

Krasniqi ka shpjeguar se shpërputhja ndërmjet fuqisë së instaluar dhe mundësisë reale të prodhimit të kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike të ripërtëritshme është se këto burime shfrytëzimin e kanë mesatarisht 2000 orë në vit, ndërsa viti ka 8760 orë, prandaj prodhimi është 3,5 herë më i vogël se prodhimi nga termocentralet me qymyr, të cilat shfrytëzimin e kanë mesatarisht 7000 orë në vit.

“Do të thotë, një njësi e termocentralit Kosova B me kapacitet 330 MW, prodhon 2,2 miliardë kWh, ndërsa nga solaret apo era me 330 MW kapacitet prodhimi është 660 milionë kWh apo 3,5 herë më pak, dhe atë – herë po e herë jo, varësisht nga dielli apo era”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi “nuk sheh perspektivë apo siguri në burimet e ripërtëritshme, solare apo me erë, por çdo realizim i tyre nga sektori privat, sipas tij, kontribuon në prurje energjetike, por nuk është zgjidhje serioze afatgjate. /Buletini Ekonomik/

MË SHUMË:

Reklama e sponzorizuar

Politizimi i skajshëm dhe i dëmshëm i gazit amerikan