Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një intervistë për Buletinin Ekonomik, e ka komentuar deklaratën e sotme të kryeshefit të Telekomit Bedri Istrefi i cili tha se privatizimi i kësaj ndërmarrje nuk është as afër.
Lluka thotë se për Telekomin vendos vetëm aksionari, në këtë rast Qeveria e Kosovës.
“Pjesën strategjike të shitjes së aksionëve e vendos qeveria, pronari. Askush tjetër”, ka thënë ministri Lluka pasi është pyetur për deklaratën e kryeshefit të Telekomit.
Tashmë është angazhuar kompania që ka lidhje me Deutsche Telekomin dhe nën asistencën e BERZH-it sipas ministrit Lluka në një afat prej pesë muajsh do të përgatitet formalisht privatizimi i ndërmarrjes.
“Pasi të kryhet dokumenti nga kompania për përgatitjen e privatizimit, pas pesë muajsh, pastaj fjala e fundit i mbetet qeverisë”, ka thënë Lluka.
Në anën tjetër, sot, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit Bedri Istrefi deklaratat për privatizim i ka quajtur më shumë fushatë sesa dicka konkrete.
“Po flitet dhe po proklamohet një privatizim që askund afër nuk është as në procedura dhe as në situatën në të cilën ndodhet Telekomi i Kosovës”, ka thënë ai. /Buletini Ekonomik/