Mbi 300 mijë kg produkte ushqimore të asgjësuara, një restorant mbyllet sepse helmoi qytetarët

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUVK) ka asgjësuar mbi 300 mijë kilogramë produkte ushqimore të dyshimta për konsum, gjatë këtij viti.

Zëdhënësi i AUVK-ut, Lamir Thaçi, tha se inspektorët e angazhuar janë në terren për të bërë kontrolle të operatorëve ekonomik, ashtu që produktet që nuk i përmbushin kushtet për konsum të mos bien në duart e konsumatorëve.

“Deri më tani, produktet me origjinë shtazore, është afërsisht diku rreth 70 mijë kg/litra, varësisht nga njësia matëse e produktit dhe kemi edhe produkte të tjera të cilat janë asgjësuar. Si produkte, mund të them se deri më tani ka kaluar mbi 300 mijë kg/litra, në total të gjitha produktet nga të tri inspektoratet që veprojnë në kuadër të AUVK”, tha ai për Ekonomia Online.

Reklama e sponzorizuar

Thaçi thotë se këtë vit ka pasur vetëm një rast të paraqitur si të dyshuar për produkte të cilat kanë sjellë helmim të njerëzve. Për këtë ai shton se kanë paraqitur fletëparaqitje në gjykatë për të rezultuar me mbylljen e operatorit i cili ka bërë shkelje të ligjit.

“E kemi pasë një rast të dyshuar në Drenas dhe në koordinim me inspektorët komunalë dhe zyrtar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, janë ndërmarrë të gjitha veprimet dhe si autoritete të koordinuara kemi vepruar me kohë, janë marrë masat ligjore, është bërë mbyllja ligjore, është bërë mbyllja e restorantit, janë marrë mostrat, strishot e nevojshme të cilat kërkohen për hulumtim të rastit kur kemi të bëjmë me dyshimet në helmim. Disa nga mostrat kanë rezultuar pozitive dhe sipas procedurës ligjore ne kemi iniciuar fletëparaqitje për gjykatë, ashtu si kërkohet me ligj”, tha ai.

AUVK bën edhe inspektimin e pishinave në aspektin hidro-sanitar, për të siguruar qytetarët për ujin në pishina, ndërsa Thaçi ka shtuar se gjatë këtij viti nuk kanë marrë asnjë ankesë prej tyre rreth kushteve higjienike në pishinat e Kosovës.

“Ne në muajt e kaluar kemi marrë një aksion dhe i kemi inspektuar pothuajse të gjitha pishinat në nivel vendi dhe niveli i përgjithshëm i kushteve higjieno-sanitare në pishina ka qenë nivel i mirë, i cili i ka plotësuar kushtet për operim në punë. Aty ku ka pasë nevojë për vërejtje të vogla teknike të cilat është dashur të kryhen, i kemi evidentuar dhe i kemi dhënë afatet kohore për të gjitha pishinat në nivel vendi dhe ato janë rregulluar. Pishinat në Kosovë posedojnë kushte të cilat ofrojnë shërbime të sigurta për konsumatorë të tyre”, tha ai.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ditë më parë ka asgjësuar 21 tonë mish që mbahej në depon e Bashkësisë Islame të Kosovës, që ndodhet në Veternik të Prishtinës.

Thaçi tha se ky institucion ka konstatuar se në depon e BIK-ut nuk ka pasur kapacitet për ftohje dhe se ngrirja nuk është bërë me kohë. Ai thotë se inspektimin e kanë bërë pas kërkesës zyrtare nga BIK-u. Mishi është asgjësuar dhe groposur në deponinë e mbeturinave në Obiliq.