Pavarësisht rekomandimeve të Avokatit të popullit që të pezullohen aktivitetet për veprimtarinë e hidrocentraleve në Shtërpcë dhe Deçan, kjo nuk ka ndodhur
Ky institucion, më 17 korrik të këtij viti, me anë të një letre për ministrin tashmë në largim të Mjedisit, Fatmir Matoshi, kishte kërkuar këtë masë të përkohshme, pasi që ka analizuar situatën dhe ka konstatuar se kjo situatë mund t’i sjellë dëme të mëdha mjedisit, raporton KTV.
Medi Geci, zëvendësavokat i Popullit tregon se kjo masë duhet të vlejë deri në dhënien e sqarimit për ligjshmërinë e operimit të hidrocentraleve në fjalë.
Edhe pse të shtunën është bërë një muaj që nga kërkesa e këtij institucioni, Ministria e Mjedisit nuk i është përgjigjur Avokatit të popullit.
Ministria ka zgjedhur të heshtë edhe në pyetjet e televizionit, se a do t’i marrë parasysh rekomandimet e Avokatit të popullit. KTV-ja ka kontaktuar zyrtarë të Ministrisë për rreth 2 javë lidhur me këtë çështje, por ata nuk kanë dashur të përgjigjen.
Ndërkaq, numrit të hidrocentraleve në Kosovë, së fundmi, i është shtuar edhe një tjetër, në Sllatinë të Kaçanikut.
Javë më parë, Koha Ditore kishte raportuar se Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë i kishte lëshuar licencë njëvjeçare kompanisë “Hidroenergjia Sh. P. K”, për operimin e hidrocentralit në këtë vend, duke mos pasur asnjë leje nga Ministria e Mjedisit.
Në një përgjigje me shkrim për këtë çështje, ZRRE-ja është përgjigjur për mënyrën se si lëshohen licencat për hidrocentralet në Kosovë, duke mos dashur të flasë për hidrocentralin konkret.
Ndërkaq, Policia e Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Ferizaj, gjatë të premtes, ka arrestuar 2 persona dhe ka bastisur disa shtëpi të protestuesve në komunën e Shtërpcës.
Në të gjithë Kosovën, qytetarët dhe shoqëria civile vazhdimisht kanë kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve.