Në Telekom ka plotë dyshime rreth Iniciativës së Ministrit Lluka për privatizimin e kompanisë

Kompania që dikur ishte më profitabilja në vend veçse ka filluar procedurat e privatizimit. Telekomi i Kosovës tashmë ka një afat prej pesë muajsh, ku do të vuloset fati i saj, e kjo po ndodhë në kohën kur Kosova ka një qeveri në detyrë, e kompania po përballet me humbje të mëdha e kërcënime që po i vijnë nga borxhet milionëshe. Sidoqoftë iniciativa e tillë, që është e treta me radhë po kundërshtohet nga sindikata me arsyetimin se po “zhvendoset vëmendja nga plaçkitja që ka bërë Z-Mobile” e nga disa parti politike, derisa po shihet me dyshim edhe te udhëheqësit e kompanisë publike.

Ani pse nuk i kanë mbetur edhe shumë kohë në detyrë, tash kur vendi po shkon sigurt drejtë zgjedhjeve të jashtëzakonshme, kjo nuk po e ndalë Ministrin në dorëheqje të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Llukën që t’i hyjë një procesi fort të ndjeshëm siç është ai i privatizimit të Telekomit.

Reklama e sponzorizuar

Pak ditë më parë, Lluka ka zhvilluar takimin e parë me kompaninë Detecon International GmbH dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) me qëllim diskutimin privatizimin të ndërmarrjes publike.

Vetë ministri në detyrë u shpreh në takim se Qeveria e Kosovës, kjo në dorëheqje, është e interesuar të privatizojë pjesën vendimmarrëse të Telekomit, saktësisht rreth 51 për qind, pra pjesën më të madhe, për të qëndruar kështu aksionarë për pjesën tjetër. Kjo sipas tij do të bëhet për të përmirësuar kualitetin e operimit.

Kompania publike Telekom, që së fundmi është përballur me disa probleme që për pak sa nuk e çuan drejtë falimentimit ka pesë muaj kohë që të përgatitet për privatizimin nga kompania Detecon.

Kjo është hera e tretë që Telekomi do t’i nënshtrohet procesit të privatizimit, pasi që dy tentativat e kaluara nuk u finalizuan me sukses.

Tentativa e tretë po bëhet në një kohë kur Telekomi është futur në krizë të thellë financiare për shkak të borxheve të shumta. Një nga ta është edhe borxhi i arbitrazhit, që Telekom ka ndaj operatorit telefonik Z-Mobile, nën pronësinë e Devollëve, e që arrin shumën e 25.9 milionë eurove. Me këta të fundit, Telekomi ka përfunduar marrëveshjen 10 vjeçare të bashkëpunimit.

Momentalisht, Qeveria e Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve që ka Telekomi, por, që kjo po pritet të ndryshojë në marrëveshjen e re të nënshkruar për privatizimin. Kujtojmë që ministri në detyrë Lluka ka qenë shumë i zëshëm që nga fillimi i mandatit për të shkuar drejtë procedurave të privatizimit.

Lidhur më këtë çështje, Express ka kontaktuar zyrtarë të Telekomit, sindikatën e PTK-së, derisa, nga partitë politike, Lëvizja Vetëvendosje është shprehur totalisht kundër.

Nga Telekomi i Kosovës, krye shefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrje Bedri Istrefi i ka thënë Gazetës Express se fillimisht, para se të shkohet me privatizim, duhet që të merren disa hapa siç janë ristrukturim i korporatës, mirëmbajtja e rrjetit, reduktimi i shpenzimeve e standardizimi i proceseve brenda kompanisë.

“Telekomi i Kosovës në krye me Bordin e Drejtorëve, Kryeshefin Ekzekutiv dhe Sindikatën e ka përcaktuar strategjinë për Telekomin. Për fillim kemi këta hap që duhet të merren:  Ristrukturimi i korporatës (si pjesë e strategjisë për dalje nga “kriza”) Mirëmbajtja e platformave – rrjetit (që është jashtë mirëmbajtjes dhe përkrahjes me shume se tri vite), Reduktim i shpenzimeve operative (kursime në qira, derivate, hapësira reklamuese etj), Standardizimi i proceseve brenda kompanisë”, thotë Istrefi, derisa, tutje shprehet se fillimisht kompanisë duhet t’i rritet çmimi në treg. Të njëjtët pohojnë se kanë informacione për veprimet që janë marrë deri më tani drejt privatizimit.

“Pra, Telekomi është i përcaktuar në rrugën drejt  krijimit të qëndrueshmërisë teknike dhe  financiare dhe pas ri-mëkëmbjes, kur kompania paraqet vlerë dhe i rritet çmimi në treg, sigurisht se ne jemi për mbështetje dhe bashkëpunim me Ministrinë e linjës dhe vetë Aksionarin, në vendimet e tyre. IBRD (BERZH) është në konsulta me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, konsulta këto që kanë të bëjnë me hulumtimin dhe metodologjinë e përgatitjes se Telekomit të Kosovës për privatizim, e Detecon është kompani konsulente që është përzgjedhur nga IBRD/BERZH në ketë proces. Ne jemi njoftuar nga Ministra e Zhvillimit Ekonomik për këtë proces, kemi mbajtur një takim konsultativ rreth planeve dhe mundësive qe kemi përpara nesh, por nuk ka diçka që është e konkretizuar deri me tani”, thotë Istrefi.

I njëjti po shprehet në mëdyshje se a do të mund të ketë fund edhe ky proces apo do të përfundojë si herët tjera. Istrefi përmend edhe gjendjen politike në të cilën momentalisht është vendi. Krye shefi thotë se janë pro procesit të privatizimit.

“Se do mund të zgjatë komplet procesi, nuk mund të vijmë në përfundim as ne, as Ministri z.Lluka, e as IBRD/BERZH, mbase ky proces varet direkt nga vetë Qeveria (si Aksionar i vetëm), e kur dihet se cila është gjendja politike sot në vend.Si përfundim, jemi për procesin e privatizimit te mirëfilltë dhe profesional, por se pari rimëkëmbja e kompanisë, e tani privatizimi”, thotë ai.

Njëjtë si krye shefi i Telekomit nuk po mendojnë edhe nga sindikata e punëtorëve.

Lamih Balaj nga Sindikata e PTK-së ka thënë se momentalisht Telekomi ka nevojë për përkrahje që të kthehet në treg, derisa, ka përmendur edhe kontratat milionëshe që i shkaktuan dëm kompanisë publike.

“Telekomi i Kosovës ka nevojë për përkrahje në këto kohë që të kthehet fuqishëm në treg dhe t’i largojë kontratat milionëshe që janë ka i rrinë në kurriz dhe nuk ka nevojë për demotivim të punëtorëve dhe stafit”, thotë Balaj, derisa, i njëjti po bën edhe një thirrje drejtuar ministrit Valdrin Lluka.

“Ministri do të ishte mirë që ta vizitonte Telekomin dhe t’i jepte përkrahje sepse deri sot asnjë nga zyrtarët qeveritarë as ministri s’ka marrë guxim me dal publikisht me përkrahë kauzën tonë si sindikatë por veç atëherë kur ju ka konvenuar. Telekomi nuk është pronë e individëve por e popullit dhe privatizimi nuk do të ndodhë në këtë kohë, gjithashtu ju bëj thirrje ta ndalin këtë luftë për Telekom se janë ka e dëmtojnë. Ne si punëtorë dhe sindikata do t’i zbardhim të gjitha krimet në Telekom që mundohen t’i mbulojnë me privatizim. Kjo është e papranueshme dhe e pa justifikueshme për zyrtarët e lartë shtetërorë”, shton ai, derisa, përmend edhe numrat me Z-Mobile te të cilët sipas tij duhet të jetë momentalisht vëmendja.

“Mos të tentohet ta humbin vëmendjen nga Z-Mobile dhe plaçka që po i lejohet Z-Mobile nga shteti duke i përvetësuar çdo muaj pa kontratë mbi 1.5 milionë euro. Ne ju bëjmë me dije ashtu qysh të parët e kemi proklamuar dhe luftuar krimin ashtu edhe pas datës 30 gusht do t’i kthejmë në Valë numrat e Z-Mobile. Mos të humbet fokusi e numrave të Z-Mobile me privatizim. Çdo vonesë e kthimit të numrave në valë është 1.5 milionë pa kontratë me Z-Mobile”, deklarojnë nga sindikata.

Privatizimin ndërkaq që nga fillimi e kanë kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Nga kjo parti në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express po thonë se pavarësisht protestave, peticioneve e kundërshtimeve, ka pasur tash e sa vite interes të veçantë për të shitur një aset të veçantë për shtetin.

“Qeverisjet e deritanishme janë udhëhequr nga parimi i ekonomisë neoliberale shit gjithçka me çdo çmim. Në mungesë të një planifikimi në zhvillim ekonomik për vendin këto qeverisje i janë përgjigjur me pozitivitet interesave e klaneve të ndryshme. Që nga viti 2010 ka pasur tendencë të vazhdueshme për ta shitur asetin e rëndësisë së veçantë për shtetin edhe për nga siguria por edhe fitimi që  i jepte shtetit të Kosovës. U bënë shumë protesta, peticione kundër privatizimit të kësaj ndërmarrjeje dhe pas dështimit për ta shitur Telekomin u bënë marrëveshje të dëmshme si ajo me Z-Mobile që për qëllim kishin, përveç përfitimit të klaneve, të falimentohej një ndërmarrje me rëndësi jetike. Edhe kjo gjë dështoi. Tash kur qeverisja Haradinaj edhe vet ka pranuar dhe  me mburrje deklaron se po e mbush Telekomin me militantë e familjarë të zyrtarëve të AAK-së vjen tentativa  e radhë për ta shitur PTK, tash edhe kur ju hoq një shushunjë si Z-Mobile Telekomit, tash kur u hap një mundësi për ta rimëkëmbë ndërmarrjen kjo qeveri që s’është më edhe në dorëheqje tenton ta kontrabandojë privatizimin e Telekomit. Sikur ta dinim këtë punë që kur kjo qeveri u largua ne kemi theksuar në konferencë për media që ky kabinet qeveritar në ikje nuk bën dhe nuk ka të drejtë të marrë asnjë vendim të rëndësishëm për vendin”, thonë nga VV, derisa, sipas tyre, nëse këta qeverisin me vendin, do të bëjnë çdo vendim që tentohet të merret në këto kohë, duke i cilësuar të njëjtat si jo legjitime.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që kompania publike Telekom të privatizohet në janar të këtij viti. Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala.

Kjo kompani i ishte nënshtruar dy herë procesit të privatizimit mirëpo asnjëri proces nuk është finalizuar me sukses.

Për herë të parë kjo ndërmarrje i ishte nënshkruar privatizimit në vitin 2011.

Kurse më pas, në rastin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, në vitin 2013 kompania “Axos – Capital” ishte shpallur fituese, me një vlerë prej 277 milionë eurosh.